Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka nisur procesin e konsultimit publik të ligjit për arsimin parauniversitar me mësues, ekspertë, përfaqësues dhe drejtues të institucioneve arsimore nga i gjithë vendi.
Në lidhje me propozimin e moshës minimale të hyrjes në klasë të parë, Ministrja Kushi u shpreh se kjo temë ka hapur debat pasi është keqinterpretuar. Ajo shtoi se fëmijët nuk detyrohen që të hyjnë në shkollë 5-vjeç.
“Në fakt qëllimi është krejt tjetër. Nisur në radhë të parë nga zhvillimi që kanë sot fëmijët, por nisur dhe nga arsimi parashkollor që gjithashtu është zhvilluar, sot ne kemi fëmijë që moshën 6 vjeç e mbushin në tetor apo në nëntor, ndërkohë që ata kanë bërë klasën parashkollore. Ata janë shumë të zhvilluar, dinë të lexojnë e të shkruajnë dhe prindërit e tyre po edhe ekspertët e gjykojnë humbje kohe dhe humbje të interesit të fëmijës nëse ne i lëmë edhe një vit tjetër për shkaqe që i pengon ligji. Atëherë, ne kemi menduar që të drejtën për të hyrë në klasë të parë në shtator ta kenë të gjithë ata fëmijë, që mbushin 6 vjeç deri në 31 dhjetor të këtij viti kalendarik.”- tha ministrja.
Kushi shtoi se kjo është një kërkesë e ardhur nga shumë prindër që duan t’i fusin fëmijët e tyre në klasë të parë, por është pengesë ligjore.
Gjatë prezantimit që bëri Ministrja Kushi, theksoi se ndryshimet janë të nevojshme edhe nga problematikat e hasura gjatë këtyre viteve në zbatimin e këtij ligji.
Ndërkaq, procesi i konsultimit publik në ditët e ardhshme do të vijojë me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillin Kombëtar të Prindërve, Bashkitë, Parlamentin e Nxënësve, shoqërinë civile, etj.
Propozimet e bëra në këtë projektligj sipas ministres Kushi synojnë:
-të implementojnë konceptin e shkollave të mesme të bashkuara.
-të sigurojnë edukimin dhe promovimin e talenteve në arsimin bazë, jo vetëm nga shkollat e drejtimit të orientuar, por edhe nga shkollat e tjera 9-vjeçare.
-të përfshijnë në institucionet arsimore parauniversitare mësuesin në dispozicion.
-të sigurojnë mbështetje institucionale për nxënësit me aftësi të kufizuar nëpërmjet krijimit të Qendrave Burimore.
-të sigurojnë mbrojtje për nxënësit, duke ndaluar përfshirjen në sistemin arsimor të personave (mësuesve) të cilët janë dënuar për vepra penale që lidhen me të mitur, apo institucionet arsimore, pavarësisht rehabilitimit të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



