Ne rrjet

Nga Jul Çezari te John Kennedy, 15 vrasjet politike që kanë tronditur historinë botërore

Gazeta Si - Ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe u vra nga një ish-ushtarak pak ditë më parë gjatë një fjalimi elektoral në Nara.

Duke iu rikthyer historisë botërore, numëroren me dhjetëra vrasje që nisin nga kohët para Krishtit me ekzekutimin e Jul Çezarit.

Por në kujtesën kolektive, më e famshmja mbetet ajo e presidentit amerikan John Kennedy, i qëlluar për vdekje 22 nëntorin e vitit 1963 në Dallas, teksa udhëtonte me një limuzinë të hapur mes turmës së njerëzve.

Vëllai i tij Bob, vdes në të njëjtën mënyrë në 5 qershor 1968 në Los Anxheles, teksa festonte fitoren në zgjedhjet e mesit të mandatit. Po përmendim 15 vrasjet më të famshme politike që prej shekujsh kanë tronditur mbarë botën.

Shinzo Abe

Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, 67 vjeç, vdiq mëngjesin e 8 korrikut nga plagët e marra pas një prite.

Ai po mbante një fjalim në Nara. Gjendja e tij shëndetësore u shfaq menjëherë kritike.

Autori, Tetsuya Yamagami - i cili qëlloi me një armë artizanale - rrëfeu: "Isha i frustruar dhe qëllova për ta vrarë".

Jul Çezari

Perandori romak Julius Çezar, u vra nga një grup senatorësh, të udhëhequr nga Marcus Giunio Brutus, Gaius Cassius Longinus dhe Decimo Brutus, në ditët e marsit të vitit 44 para Krishtit (15 mars). 

Vdekja e tij shkaktoi një sërë luftërash civile. Legjenda thotë se vdekjes së Çezarit i paraprinë disa shenja: zjarre qiellore, zogj të vetmuar në fole, zhurma të çuditshme nate. 

Suetonius raporton se asnjë nga plagët e Çezarit nuk ishte fatale, me përjashtim të të dytës, në gjoks. "Tu quoque, Brute, fili mi!". ("Edhe ti, Brutus, biri im!"): Këto ishin fjalët e fundit të Çezarit para se të vdiste.

Ito Hirobumi

Princi Itō Hirobumi, katër herë kryeministër i Japonisë, u vra më 26 tetor 1909 nga një nacionalist korean dhe aktivist i pavarësisë në Harbin, Kinë. Autori quhej An Jung-geun.

Një tjetër vrasje politike në Japoni ndodh në vitin 1932: një sulm nga ultranacionalistët çoi në vdekjen e ideologut të konstitucionalizmit japonez, Tatsukichi Minobe, i cili kishte vënë në dyshim natyrën hyjnore të perandorit.

Archduke Francesco Ferdinando

Vrasja e arkidukës Francesco Ferdinando më 28 qershor 1914 nga nacionalisti serbo-boshnjak, Gavrilo Princip, shkaktoi Luftën e Parë Botërore.

Plumbi i shkrepur nga Princip, ruhet si artefakt në Kështjellën Konopiště, pranë qytetit të Benešov, në Republikën Çeke. 

Ndërsa arma është e ekspozuar në Muzeun Historik Ushtarak në Vjenë. Qelia në të cilën Princip ishte mbyllur deri në vdekjen e tij, e cila ndodhi disa muaj para përfundimit të konfliktit, mund të vizitohet në burgun e vjetër të Terezín.

Abraham Lincoln

Në ditën kur Abe Lincoln u vra në Teatrin Ford në Uashington, ishte planifikuar një komedi muzikore nga shkrimtari britanik, Tom Taylor (1817-1880). 

John Wilkes Booth, një aktor nga Virxhinia simpatizant i Jugut, hyri në skenë dhe qëlloi një pistoletë të kalibrit 44 në kokën e presidentit, duke thirrur "Sic semper tyrannis!" ("Kështu qoftë për tiranët!" - motoja e shtetit të Virxhinias dhe një frazë e cituar historikisht nga Brutus në vrasjen e Jul Çezarit).  

Sipas disa dëshmitarëve, ai më pas shtoi: "Jugu është hakmarrë"! Lincoln hyri në histori si presidenti që shfuqizoi skllavërinë, një praktikë mizore të cilën Jugu e bëri gjerësisht dhe që kontribuoi në pasurimin e jashtëzakonshëm të asaj pjese të Shteteve të Bashkuara, eksportues i madh i pambukut. Ishte 14 prill 1865, presidenti republikan vdiq të nesërmen.

Car Nikolla II

Perandori i fundit rus, Nikolla II Romanov, u vra më 17 korrik 1918 së bashku me familjen e tij nga bolshevikët, gjatë izolimit në qytetin e Tobolsk. 

Ekzekutimi zgjati njëzet minuta. Kufomat u dërguan në pyllin e afërt të Koptiakij: ata u zhveshën lakuriq, i copëtuan dhe i hodhën në boshtin e një miniere të vjetër.

Mahatma Gandhi

Më 30 janar 1948, Gandi u vra. Atë ditë, ndërsa shkonte në kopsht për lutjen e zakonshme, i shoqëruar nga dy stërnipërit e tij Abha dhe Manu, Gandhi u vra me tre të shtëna me armë zjarri nga Nathuram Godse, një fanatik radikal hindu, i cili gjithashtu kishte lidhje me grupin ekstremist Mahasabha. 

Godse e konsideroi Gandin përgjegjës për dorëzimin ndaj qeverisë së re të Pakistanit dhe fraksioneve myslimane, jo më pak për pagesën e borxhit që i detyrohej Pakistanit.

Patris Lumumba

Lumumba, kryeministri i Kongos së pavarur, u ekzekutua në provincën separatiste të Katanga pas një grushti shteti. 

Ishte 17 janari i vitit 1961. Lumumba ia kushtoi veprimtarinë e tij politike arritjes së unitetit dhe pavarësisë së Kongos nga traditat dhe interesat fisnore të Belgjikës. 

Më 17 janar ai u dërgua me avion në Elisabethville (sot Lubumbashi) dhe iu dorëzua trupave të udhëheqësit Katangian M. Tshombe, nga i cili u vra. 

Lumumba u varros në një varr të cekët, më pas u zhvarros, u copëtua dhe më në fund u tret në acid. 

Një dhëmb u kthye nga Belgjika në Republikën Demokratike të Kongos dhe është mbajtur në mauzoleumin e saj që nga 30 qershori 2022.

John Fitzgerald Kennedy

Presidenti amerikan John Kennedy u vra më 22 nëntor 1963 nga ish-marinsi Lee Harvey Oswald. 

Vrasja ka ndodhur në Dallas të Teksasit, në orën 12.30 me orën lokale (19.30 në Europë), teksa ai ndodhej për një vizitë zyrtare në qytet. 

Oswald u arrestua nga policia e Dallasit në një kinema jo shumë larg Dealey Plaza, vendi ku u vra presidenti.

Të dielën, më 24 nëntor, trupi u transportua në zonën e Kapitol Hillit në Uashington, ku qindra mijëra njerëz i bënë homazhe presidentit gjatë gjithë ditës dhe natës. Më 25 nëntor u shpall zie kombëtare.

Martin Luther King Jr.

Martin Luther King, udhëheqës i Lëvizjes për të Drejtat Civile Afrikano-Amerikane, u vra nga James Earl Ray në Memphis, Tennesse. 

Në orën 18:01 të 4 prillit 1968, King doli në ballkonin e katit të dytë të motelit ku po qëndronte. 

Këtu ai u godit nga një pushkë snajper në kokë. I transportuar në spitalin e Shën Jozefit, mjekët gjetën dëmtime të pariparueshme në tru. 

Vdekja u njoftua në 19.05. Trupi i tij ndodhet tani në varrezat Southview, Jonesboro Road, në qytetin e tij të lindjes, Atlanta.

Bob Kennedy

Një tjetër tragjedi goditi familjen Kennedy pesë vjet më vonë, në vitin 1968. Natën midis 5 qershorit dhe 6 qershorit 1968, në sallën e ballos të hotelit Ambassador në Los Anxhelos, Bob Kennedy takoi mbështetësit e tij për të festuar fitoren e tij në zgjedhjet paraprake në Kaliforni.

Teksa largohej nga hoteli përmes një kalimi në kuzhinë, një çerek ore pas mesnate, ndaj tij u qëllua me armë zjarri nën sytë e gazetarëve që e ndiqnin.

Yitzhak Rabin

Në mbrëmjen e 4 nëntorit 1995, pasi mori pjesë në një tubim në mbrojtje të paqes në Tel Aviv, kryeministri izraelit Yitzhak Rabin u vra nga Yigal Amir, një kolon ekstremist hebre. 

Rreth një milion izraelitë dhe shumë figura të shquara të politikës botërore morën pjesë në funeralin e tij në Jeruzalem.

Benazir Bhutto

Benazir Bhutto, dy herë kryeministre e Pakistanit, vdiq më 27 dhjetor 2007 pas një sulmi me bombë në fund të një mitingu të planifikuar në Rawalpindi, rreth 30 km nga kryeqyteti Islamabad. 

Të paktën 20 persona humbën jetën në sulm dhe 30 të tjerë u plagosën. E transportuar menjëherë në spital, liderja e opozitës pakistaneze vdiq pak kohë më pas për shkak të plagëve të marra.

Aldo Moro

Trupi i Aldo Moros u gjet i pajetë në bagazhin e një “Renault 4” të kuq më 9 maj 1978, pesëdhjetë e pesë ditë pas rrëmbimit të tij.

Ai kishte njëmbëdhjetë plumba në zemër. Vendi ku mbeti i vrarë ishte 150 metra nga selia e Partisë Komuniste dhe dyqind nga ajo e Demokristianëve, partisë së tij.

Moro u vra nga duart e terroristit të “Brigadave të Kuqe”, Mario Moretti, në bashkëpunim me Germano Maccari, edhe pse për shumë vite, deri në rrëfimin e Morettit, mendohej se Prospero Gallinari e kishte qëlluar politikanin italian.

Jo Cox

Më 16 qershor 2016, ndërsa deputetja laburiste Jo Cox ishte gati të fillonte zgjedhjet, asaj iu afrua një burrë, që e qëlloi me tre të shtëna arme.

Pasi e tërhoqi zvarrë, ai e goditi disa herë me thikë në rrugë jashtë bibliotekës Birstall pranë Leeds (ku ajo vdiq katër orë më vonë). Autori ishte një nacionalist, i quajtur Thomas Mair, i lidhur me lëvizjen neo-naziste.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë