Shefi i Mercedes F1, Toto Wolff tha se përplasja e Lewis Hamilton dhe George Russell në kualifikimin e Çmimit të Madh të Austrisë do të ndikonte në ekonominë e skuadrës, por gjithsesi ai do të kishte dëshirë që më mirë të ketë një makinë të shpejtë që përplaset në mur nga shpejtësia sesa një makinë që ecën ngadalë.
Dyshja u futën në barrierat njëra pas tjetrës në fazën përfundimtare të kualifikimeve të së premtes për sprintin e së shtunës në qarkun Spielberg.
Wolff tha se të dyja makinat ishin “shumë të prishura” dhe mekanikët janë munduar shumë ti rregullojnë ato.
“Mendoj se kemi shumë probleme dhe shumë punë. Ka pafund defekte dhe shumë pjesë janë shkatërruar”, u tha austriaku gazetarëve të shtunën.
“Dje në garazh dukej sikur dikush kishte hedhur një makinë Lego në dysheme. Mekanikët po bëjnë punë të shkëlqyer”.
Kampionët e Mercedes kanë pasur shumë probleme me makinën në fillim të sezonit dhe vetëm tani kanë filluar ti rregullojnë ato, duke u futur sërisht në garë si fitues.
Shtatë herë kampioni botëror Hamilton ka përfunduar i treti në dy garat e fundit dhe ka udhëhequr Çmimin e Madh të Britanisë në Silverstone të dielën e kaluar.
Wolff tha se britaniku 37-vjeçar po ecte me 10 km/h më shumë shpejtësi kur u përplas të premten dhe makina ishte dukshëm më e shpejtë se zakonisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




