Arsim

Analiza e Maturës Shtetërore / Kushi: Tre pika duhen ndryshuar, shkollat do kenë kartë performance

Pas problemeve të hasura vitin e kaluar me provimin e matematikës në Maturën Shtetërore, Ministria e Arsimit dhe Sportit bashkë me një grup punë ka analizuar të gjithë procesin e provimeve.
Raporti i gjetjeve është prezantuar në një takim në Ministrinë e Arsimit, ku morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, përfaqësues të kësaj ministrie dhe drejtues të institucioneve të varësisë në Arsimit Parauniversitar.


Gjetjet e analizës së kryer nga grupi i punës në lidhje me Maturën Shtetërore ka diktuar nevojën për disa ndryshime.

Ndryshimi i parë që është propozuar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit bazuar në këto gjetje, është që vitin e ardhshëm të pilotohet një testim elektronik i vëzhguar, për pranimin në programet universitare të studimit që janë shumë të kërkuara, siç është programi Mjekësi e Përgjithshme apo stomatologji.

Ky testim, mendohet të jetë në formatin e provimeve të licencave i cili organizohet nga QSHA.
Ministrja Kushi ka shpjeguar se qëllimi i këtij testimi është nxitja e më tejshme e meritokracisë, shmangia e fiktivitetit të mundshëm në vlerësimin e 3 viteve të mëparshme nga shkolla të ndryshme të vendit. Fondi i pyetjeve lidhet me lëndët kryesore që të çojnë drejt programeve të mjekësisë.

Pika e dytë e propozuar ka të bëjë me ndryshimin e një pike të rregullores së Maturës Shtetërore që parashikon se nuk ka rivlerësim të testit.


“Ne nuk jemi të pagabueshëm, sepse kur themi që nuk ka rivlerësim të testit kjo nënkupton që ne jemi të pagabueshëm. Nuk ka mësues të pagabueshëm, vlerësues të pagabueshëm. Ne propozojmë që ta rishikojmë këtë pikë”, nënvizoi ministrja.

Pika e tretë ishte përmirësimi i fondit të pyetjeve dhe mënyrave të përgatitjes së testit përfundimtar. Ministrja Kushi tha se duhet të gjejmë mënyrën e duhur për të shmangur pyetjet jashtë programit, apo pyetjet që nuk përputhen me nivelin e vështirësisë.
Ndërkohë pika e katërt, kishte të bënte me propozimin për ngritjen e një sistemi për të vlerësuar së pari gjimnazet, më pas edhe shkollat 9-vjeçare.

Kjo sipas ministres do të çonte në një renditje të vërtetë dhe cilësore.
“Karta e performancës është një element që shkollat bëjnë një vetëvlerësim në bazë të kritereve dhe disa treguesve të matshëm. Ne bashkë me ASCAP duhet të hartojmë një sistem dhe disa kritere matëse se si të vlerësojmë gjimnazet dhe renditjet e tyre. Kjo do të ndihmonte edhe vetë gjimnazet për të parë se ku janë dhe për të bërë përmirësime në aspekte të caktuara”, theksoi Kushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë