Gazeta Si – Dy pensionistët nga Tirana, Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi, do të pyeten nga SPAK pas denoncimit të Monika Kryemadhit për evazion fiskal në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Supas burimeve paraprake, SPAK po kryen hetimet e nevojshme, mes të cilave përfshihet edhe marrja në pyetje e dy të moshuarve, të cilët rezultojnë pronarë pa dijeninë e tyre.
Në një intervistë dhënë një ditë më parë, 90-vjeçarja Haxhire Gurakuqi tha se ishte mashtruar nga dy djem që ishin paraqitur në azil si punonjës të Prokurorisë.
Pa dijeninë e saj, ata i kishin kërkuar të firmoste disa dokumente në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Po ashtu 90-vjeçarja ka rrëfyer se banka i kishte bllokuar edhe të ardhurat nga pensioni që e moshuara i kishte lënë në bankë, pasi rezultonte me biznes në Laç.
Ajo shtoi se nuk kishte asnjë biznes apo kompani dhe se nuk ishte në dijeni të kompanisë që figuronte në emër të saj.
Mes të tjerash, Gurakuqi, e cila jetonte prej dekadash në një azil në Tiranë, tha se nuk e njihte Klodian Zoto, administratorin e inceneratorëve, i shpallur në kërkim nga policia.
Pas denoncimit të Kryemadhit të hënën, rezulton se dy të moshuarit kishin një pasuri me vlerë 30 milionë euro, ndërkohë që jetojnë azil pa asnjë përkrahje.
Ndërkohë, akoma LSI, nuk e ka depozituar në SPAK padinë e paralajmëruar lidhur me detajet e reja nga afera e inceneratorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




