Drejtësia

Harta e re gjyqësore, avokatët vendosin bojkot pa afat për seancat

Gazeta Si – Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur të vijojë bojkotin e përgjithshëm pa afat në shenjë proteste për hartën e re gjyqësore që shkrin 5 Gjykata Apeli në vend dhe 9 Gjykata të Shkallës së Parë.

Pas mbledhjes të mbajtur këtë të mërkurë, u vendos që për masat e sigurisë afati do të jetë 10 ditë.

Për avokatët që nuk do të ndjekin bojkotin, njoftohet se do të ketë masa disiplinore.

“Sot më datë 29 qershor 2022 nga Dhoma Avokatëve të Shqipërisë vendosi bojkot të të gjitha proceseve gjyqësore civile , penale dhe administrative po kështu edhe të masave të sigurimit për një afat 10 ditor duke u nisur nga sot”, – thuhet në një njoftim.

Reagimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, vjen si masë kontestimi për vendimin e KlGJ-së për Hartën e re Gjyqësore.

Në një deklaratë të dhënë më herët për mediat, kryetari i Dhomës Kombëtare tëAvokatisë, Maksim Haxhia, deklaroi se ka bërë një tur në të gjitha Dhomat vendore duke përfshirë këtu Vlorën, Durrësin, Shkodrën etj, ku ka diskutuar për situatën dhe vendimmarrjen.

Nisma e propozuar, ka marrë më herët dakordësinë edhe nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe Shoqata Kombëtare e Avokatisë.

Aktualisht, Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar, ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht.

Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë