Ekspozite

Chagall për herë të parë në Tiranë me Gogolin, Shekspirin dhe La Fontenin


Njëqindetetëdhjetë gravura dhe grafika të një prej artistëve më të mëdhenj botërorë të shekullit të  20-të çelin sezonin e ri artistik  në COD,  Qendrën për Hapje dhe Dialog, me ekspozitën “ “Graviteti Magjik”, piktorit  ruso – francez Marc Chagall. Kjo ekspozitë që e sjell veprën e Chagall për herë të parë në Shqipëri, është një përzgjedhje grafike nga tre ciklet e tij më të njohura ilustruese  për libra: “Shpirtra të Vdekur’ të Gogol, ‘Stuhia’ të Shekspirit dhe ‘Fabulat’ e La Fontenit.Marc Chagall ishte një eksperimentues gjenial dhe eklektik. Në më shumë se shtatëdhjetë vjet aktivitet si artist, mjeshtri e shprehu veten përmes çdo mediumi në dispozicion të tij: nga piktura, grafika, qeramika dhe vizatimi, deri tek vitrazhi, mozaiku, endja në tezgjah, skulptura monumentale dhe skenografia.

Ai krijoi një univers në të cilin figurat njerëzore, kafshët dhe skena të marra nga traditat hebraike jetojnë krah për krah me referenca biblike dhe fetare. Është e vërtetë se Chagall e shprehu botën e tij të brendshme përmes pikturës dhe ngjyrës, por është gjithashtu e vërtetë se grafika ishte shumë afër zemrës së mjeshtrit ruso – francez. Pllakat e tij të gravurës ngjajnë si pyje shenjash, mbushur  me gdhendje tronditëse të artistit dhe të ngjashme me punën e Rembrandt-it dhe Goja-s. Gravurat e tij (në këtë ekspozitë cilësisht litografi dhe akuaforte) demonstrojnë aftësinë gjeniale për të balancuar vlera të ndryshme tonale; raportet mes së bardhës dhe së zezës, si dhe a zbulojnë dorën e tij unike, të dallueshme në ‘gjestet’ dhe ‘prekjet’ e veçanta dhe intime.

Chagall u prezantua me procesin dhe filloi të prodhonte gravura në Berlin në vitin 1922, në moshën tridhjetepesë vjeç. Pas kthimit të tij nga Rusia, ai e provoi dorën së pari në gravurat e ekzekutuara për autobiografinë e tij, My Life (Jeta ime) (Berlin, 1922-23). Pasi u zhvendos në Paris, iu afrua Ambroise Vollard-it, një nga galeristët, tregtarët dhe mecenatët më të njohur dhe më të rëndësishëm të artit në shekullin e 20-të, i cili dëshironte të komisiononte Chagall-in për të prodhuar një seri gravurash për një “livre de peintre”, delikat si ato që Vollard kishte porositur nga piktorët Bonnard dhe Rouault.

Chagall e refuzoi zgjedhjen e teksteve që propozonte Vollard-i dhe në vend të tyre sugjeroi të ilustronte romanin “Shpirtra të Vdekur” nga Nikolai Gogol. Rezultati i kësaj pune është një nga kryeveprat e artit modern në gravurë. Në vitin 1927 Chagall filloi të punojë për një projekt tjetër për Vollard-in, një seri gravurash për ilustrimin e ‘Fabulave’ të mrekullueshme të La Fontenit. Në këto vepra zhvendoset nga Rusia fantastike e imagjinatës dhe kujtesës së Chagall-it, në botën më ëndërrimtare të mitit dhe legjendës së lashtë, të treguar e të ritreguar sa e sa herë, duke ndryshuar kohë pas kohe dhe vend pas vendi, por në fund duke mbetur po gjithmonë të njëjtat.

Teknikisht këto vepra ndryshojnë shumë nga ato të ‘Shpirtrave të Vdekur’. Franz Meyer komenton: “Krahasuar me gravurat e fundit për ‘Shpirtrat e Vdekur’, në gdhendjet e reja përmbajtja piktorike e veprës rritet jashtëzakonisht shumë. Chagall-in tani nuk e tërheq më teknika e akuafortes dhe litografisë; gjithashtu edhe teknika e gjilpërës së thatë mezi vihet re. Në vend të kësaj, ai bën gjithçka me anë të zinkografisë -gdhendjes në pllakë zinku- dhe e mbulon sipërfaqen e gdhendur me dyllë fiksues, një kombinim që e rrit intensivisht efektin piktorial të grafikës.”

Prodhuar në moshën 88 vjeçare, ‘Stuhia’ e Shekspirit paraqet si cikël i plotë rreth 50 ilustrime që reflektojnë interpretimin e Chagall-it të magjikes Shekspiriane tek drama ‘Stuhia’. Sipas interpretimeve kritike më të fundit, Chagall pa tek ‘Stuhia’ e Shekspirit simbolin e stuhisë që përfshiu vetë jetën e tij, si dhe një reflektim të përvojave traumatike të hebrenjve evropianë në gjysmën e parë të shekullit të XX-të. Ekspozitën e mbyll një cikël me 13 litografi që janë një përmbledhje sintetizuese e diapazonit koloristik dhe tematik të universit Chagall-ian. Ekspozita, e cilësuar si më e rëndësishmja për 2018-ën në COD, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 12 Janar 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë