Gazeta Si – Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela ka dhënë dakordësinë për hartën e re gjyqësore, që është propozuar nga KLGJ.
Në letrën që i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Çela thotë se vlerëson frymën e këtij bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional në përballje me nevojat për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar.
Sipas Çelës, harta e re gjyqësore vjen në kuadrin e procesit të pritshëm që sjell rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambiente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratës dhe shërbimeve mbështetëse në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
Ky vendim i kryeprokurorit vjen në një kohë ku qindra avokatë në të gjthë vendin kanë bojkotuar seancat gjyqësore kundër hartës së re gjyqësore.
Edhe ditën e hënë, avokatët në disa retehe kanë vijuar bojkotin e masave të sigurisë dhe gjyqeve.
Nga Vlora, në një deklaratë për mediat, kundër hartës dolën edhe deputetët e PD-së, Bujar Leskaj, Ina Zhupa, Arbi Agalliu dhe Fation Veizaj.
Ata thanë se kjo hartë cenon aksesin e qytetarëve në Drejtësi dhe shton kostot e tyre financiare.
Edhe avokatët në Shkodër, Lezhë dhe Gjirokastër po vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore, tashmë në javën e tretë të protestive të tyre.
Dhoma e Avokatisë vendosi bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë, por afati u shty sërish.
Kundër bojkotit kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca, sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ.
KLGJ ka miratuar draftin, i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave.
Me vendimin e ri, shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



