Media Galeri

Thatësira ekstreme zbulon një qytet 3400 vjeçar në Irak

Një qytet antik është zbuluar në Irak. Ai besohet të jetë Zakhiku, një vendbanim në Perandorinë Mittani që mbretëroi nga 1550 deri në 1350 para Krishtit. Qyteti kishte qenë nën ujë dhe thatësira e nxori në pah.

Territori i mbretërisë shtrihej nga Deti Mesdhe në Irakun verior, sipas Ivana Puljiz, pedagoge në departamentin e arkeologjisë në Universitetin e Freiburg, Gjermani.

Zakhiku u zhyt nën ujë pasi qeveria irakiane ndërtoi Digën e Mosulit në vitet 1980 dhe rrallë herë ka parë dritën e diellit që atëherë.

Pasi Puljiz dëgjoi se qyteti ishte rishfaqur, ekipi i saj nxitoi të gërmonte vendin sepse nuk dihej se kur do të rriteshin përsëri nivelet e ujit.

“Për shkak të presionit të madh të kohës, ne gërmuam në temperatura të ulta, borë, breshër, shi, madje edhe stuhi, si dhe ditët e herëpashershme me diell, duke mos ditur se kur do të ngrihej përsëri uji dhe sa kohë do të kishim”, tha Puljiz.

Qyteti antik tani është rizhytur në ujë, por studiuesit ishin në gjendje të zbulonin pjesën më të madhe të vendit.

Dihet pak për njerëzit e lashtë Mittani që ndërtuan qytetin, kryesisht për shkak të faktit se studiuesit nuk e kanë identifikuar kryeqytetin e perandorisë ose nuk kanë zbuluar arkivat e tyre, tha Puljiz. Megjithatë, disa artefakte të zbuluara gjatë gërmimeve të fundit mund të ndihmojnë në sigurimin e njohurive.

Arkeologët gjetën pesë enë qeramike që mbanin mbi 100 pllaka argjile kuneiforme. Ata besohet të jenë nga periudha e Mesme Asiriane, e cila zgjati nga viti 1350 para Krishtit dhe mund të hedhë dritë mbi rënien e qytetit.

“Është një mrekulli që pllakat kuneiforme të bëra nga argjila e papjekur mbijetuan kaq shumë nën ujë”, tha Peter Pfälzner, profesor i arkeologjisë dhe një nga drejtorët e gërmimeve.

Pllakat nuk janë deshifruar ende, por Puljiz supozon se ato i përkasin një arkivi privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë