Turqia duket e pakënaqur me punën e Shqipërisë në lidhje me kërkesën e hershme të Ankarasë për ekstradimin e personave që i akuzon si gylenistë dhe të lidhur me grushtin e dështuar të shtetit të korrikut të 2016-s.
Pakënaqësinë e shprehu në një gjuhë diplomatike në Tiranë, ministri i Jashtëm turk, Mevult Cavusoglu, që rikujtoi një listë me emrat e dorëzuar tek autoritetet shqiptare.
“E dimë sesi veprojnë ata. E dimë që janë elementë të Fetos dhe presim veprim nga Shqipëria mike. Të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri. Ata mund të bëjnë çdo gjë. Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që mund të vijë nga Shqipëria dhe këtë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë”, tha ministri i Jashtëm turk.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryediplomati turk foli për një strukturë gyleniste të gjerë e të shtrirë në të gjitha fushat, që sipas tij përbën rrezik jo vetëm për Turqinë, por edhe për vetë shtetin shqiptar.
“Ka një strukturë fetoiste tepër të fortë në Shqipëri, në çdo fushë dhe si në vendet e tjera përdorin sistemin arsimor dhe kanë depërtuar mirë në sistemin shtetëror. Kanë hedhur, por nuk mund të hedhin më hapa të tjerë. Është një kërcënim edhe kundër Turqisë. Kjo organizatë është kërcënim serioz edhe për Shqipërinë”, deklaroi ai.
E çfarë është diskutuar më në detaje për këtë çështje mbeti brenda sallës së takimit mes dy ministrave, por në konferencën për media u shpërfaq një përplasje e lehtë mes tyre.
Ditmir Bushati tha se përgjigjia e shtetit shqiptar ka qenë mbështetja, dënimi dhe solidarizimi me ato që ndodhën në korrikun e 2016-s, por shtoi se Tirana është pjesë e disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se ekstradimet i vendos në bazë vetëm të këtyre marrëveshjeve.
“Shqipëria është solidarizuar me çka ndodhi në rrethanat e grushtit të shtetit, por është edhe vend anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, aderon në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtarë në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe jo në konferenca shtypi”, u shpreh kryediplomati shqiptar.
Por, Turqia nga ana tjetër pretendon se lista me emrat që kërkon të ekstradohen është dorëzuar plotësisht sipas rregullave ndërkombëtare.
“E kemi përcaktuar hapat që duhen hedhur për eleminimin e Fetos dhe veprimtarisë së Fetos që zhvillohet këtu. U kemi dhënë listat me emra miqve shqiptarë. Kërkojmë ekstradimin e tyre dhe e kemi bërë këtë me kërkesë zyrtare. Kemi paraqitur vendime gjykatash dhe vendimet përkatëse, sipas rregullave ndërkombëtare”, deklaroi nga ana tjetër Cavusoglu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




