Drejtësia

Kokaina mes mishit të pulave në port, dy të arrestuarit mohojnë akuzat në gjykatë

Gazeta Si – Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” 18 ditë për Arben Ferizin, administratorin e kompanisë “Apetit Group” me seli në Prishtinë që kishte porositur ngarkesën me mish pule nga Brazili, ku u zbuluan 45.5 kg kokainë.

Po ashtu, gjykata caktoi 18 ditë burg për agjentin doganor Egert Vargu, deri në plotësimin e dokumentacioneve nga organi akuzës.

Gjatë seancës gjyqësore të kësaj të shtune, të dy kanë mohuar të jenë të përfshirë në ngjarje.

Përpara hetuesve vetë administratori i kompanisë ka treguar se porositë e kontejnerëve me mish i kryen online dhe se nuk ka dijeni për kokainën e zbuluar.

Arben Ferizi dhe Egert Vargu i kanë qëndruar deklaratave te tyre të mëhershme ku Ferizi është shprehur se nuk ka lidhje me drogën.

Sipas tyre kompania ka porositur mish pule dhe të gjithë veprimet i kryejnë online dhe në këtë mënyrë nuk kanë nga ta dinë se çfarë ka në kontenierë.

Ferizi ka deklaruar se kompania ka vite që merret me prodhimin e salçiçeve dhe është e suksesshme, prandaj nuk e ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ai deklaroi se kompania nuk ka asnjë lidhje, nuk ka dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontenier.

Kontejneri me mish pule ku u gjetën 40 pakot e kokainës kishte si destinacion final Maqedoninë e Veriut.

Dyshohet se rruga e kryer, ka qenë nga Brazili në Marok, më pas në Gjermani për të vijuar në portin e Pireut në Greqi dhe për të mbërritur më 20 maj në Portin e Durrësit.

Aty më pas ngarkesa ka qëndruar për ditë të tëra, derisa mesditën e 15 majit nga policia u zbuluan 45.5 kg kokainë, në pakot e së cilës kishte të stampuar foto të filmave të animuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë