Ngjarje

Kapen 45.5 kg kokainë në kontejnerin me mish pule në Durrës, arrestohen dy persona

Gazeta Si - Në Portin e Durrësit janë sekuestruar 45.5 kg lëndë narkotikë e dyshuar kokainë, mbrëmjen e 15 qershorit.

Mëngjesin e të enjtes, policia ka arrestuar Arben Ferizin, 30 vjeç banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil.

Në pranga ra edhe shtetasi Egert Vargun, 39 vjeç banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani. 

Sasia ishte ngarkuar në një kontejner me mish pule që vinte nga Brazili me destiancion final Maqedoninë  e Veriut, e paketuar në 40 pako.

Pas kontrollit të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Pakot ishin të mbështejlla me personazhe të filmave vizatimore si ‘Goku’ dhe ‘Buda’.

Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe ajo Kriminale kanë pasur informacione paraprake për këtë ngarkesë që u sekuestrua gjatë operacionit "Tranziti".

Dy të ndaluarit, i kanë mohuar akuzat për përfshirje në trafikun e drogës gjatë marrjes në pyetje në polici.

Arben Ferizi, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil ka thënë.

“Kompania ime ka vite që merret me prodhimin e salçiçeve dhe është e suksesshme dhe nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk kemi dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner. Të gjitha veprimet kryhen online, porosia dhe blerja e mishit. Nuk është kompetencë e jona se çfarë gjendet në kontejner përtej asaj çka ne kemi porositur”.

Ndërsa Egert Vargu me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani, ka thënë.

“Nuk kam dijeni, apo lidhje me drogën. Puna ime është të bëjë procedura zhdoganimi dhe nuk merrem me kontrollin e kontejnerëve. Nuk është në kompetencën time”.

Më datë 12 qershor, anija "Contship Eco" e nisur nga Brazili, ka hyrë në portin e Pireut, Greqi dhe më 13 qershor është nisur prej andej për në Shqipëri.

Kjo është sasi e dytë e kokainës së seluestruar në Durrës në harkun e një muaji. Më 17 maj, në një anije me qymur nga Kolumbia u sekuestruan 59 kg kokainë.

Pas kapjes së disa ngarkesave në kontejnerë me banane, dy rastet e fundit tregojnë se trafikantët ndërkombëtarë të drogës kanë ndryshuar strategjinë e futjes së kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë