Dokumentar

‘The Princess’, dokumentari i ri bindës për Lady Dianën që nuk duhet humbur

foto e princeshes

Nga Gazeta Si - Natën një turmë filmohet para hotelit Ritz në Paris nga një kalimtar. Kush po i pret gjithë ata njerëz? Ky është një fragment nga dokumentari ‘The Princess’, dokumentarin e Ed Perkins që do të jetë i disponueshëm nga 31 gushti, përvjetori i vdekjes së Princeshës së Uellsit.

Pas produkteve të tilla si seriali televiziv “The Crown” dhe filmi “Spencer”, disa mund të thonë se është e tepruar publikimi i një dokumentari mbi Lady Diana. Megjithatë, Perkins sjell në ekran një përrallë bindëse dhe zhytëse që shqyrton jetën e Lady Dianës, por mbi të gjitha qëndrimin e publikut dhe familjes mbretërore ndaj saj. Shumë informacione udhëtojnë paralelisht me po aq emocione nëpër pamjet arkivore të bëra nga gazetat, paparacët dhe njerëzit e thjeshtë gjatë viteve ‘80-‘90.

“Unë jam një person kërkues me veten, por jo domosdoshmërisht me të tjerët”, është një nga thëniet e shumta të mësueses së re të kopshtit, e cila u martua me Princin Charles të Anglisë, duke i ndryshuar jetën përgjithmonë. “The Princess” nis nga javët para fejesës së tyre në 1981 deri në tragjedinë e aksidentit në Paris dhe funeralin me fëmijët e pikëlluar të çiftit që ecnin pas arkivolit të Dianës në një valë pikëllimi të paparë kurrë më parë, që e mbajti botën ngjitur pas televizorit. Nuk është një homazh, nuk është një festë apo një dënim, por një përmbajtje e ndershme dhe rezultat i një pune kërkimore të përpiktë dhe në kohë.

Materiali arkivor i gjetur dhe i bashkuar nga Perkins është absolutisht i pasur në detaje dhe e fton shikuesin në një aventurë intriguese, prekëse dhe emocionalisht tërheqëse. “The Princess” analizon thellësisht dhe tërësisht odisenë e një “personi modern” e cila u përplas me një institucion antik dhe “të dy u shkatërruan” siç nënvizon një gazetar gjatë një prej udhëtimeve të princeshës në Indi.

Perkins i tregon audiencës së tij marrëdhënien e Dianës me median, shpesh ndërhyrëse dhe gjithsesi e pranishme në përditshmërinë e saj prej shumë vitesh. Dhe u tregon gjithashtu njerëzve të thjeshtë, britanikëve adhurues që e trajtuan atë pothuajse si një person familjar, duke vuajtur ose duke u gëzuar për të dhe me të.

Një pjesëmarrje intensive që minohej aty-këtu duke evoluar vazhdimisht opinionin publik. Pas idilit të martesës në stilin madhështor dhe historisë romantike të dashurisë së dy personazheve kaq të ndryshëm, si në moshë, ashtu edhe në temperament e personalitet, nisin tradhtitë, dyshimet, problemet shëndetësore, paqëndrueshmëria dhe diskutimet. Faqet e para të gazetave dhe tabloideve britanike janë të mbushura me teori dhe thashetheme për bashkimin e Charles dhe Dianës, hijen e pakëndshme të Camilla dhe lidhjet e supozuara jashtëmartesore të Princeshës të lëna pas dore dhe të torturuar nga i shoqi dhe familja mbretërore.

Kristen Stewart në Spencer

Ndërsa djali i tij Harry dhe gruaja e tij Meghan po luftojnë të njëjtat luftëra që përfundimisht çuan në vdekjen e parakohshme të Lady Dianës, lidhja e anglezëve me këtë grua të vetëdijshme për dobësitë e saj, e mbyllur në një kafaz për të ndjekur dashurinë dhe e vendosur për të qenë e mirë dhe për të dhënë kontributin e saj në atë pjesë të trazuar të botës.

Edhe nëse mendoni se keni parë shumë për Dianën, jepini një shans “The Princess”, e cila shton informacione të reja interesante dhe ofron një vështrim të gjerë dhe të sinqertë në faqet e historisë që është mirë të interpretohet drejt. Edhe duke e ditur se si përfundoi dhe pasi keni parë dhe lexuar shumë materiale për Zonjën D, do të jeni akoma të emocionuar në pjesën e fundit. Merita e regjisorit që ndërton një rrugëtim narrativ të strukturuar mirë, me shumë respekt për një personalitet femëror të kohës sonë, të rafinuar, misterioze dhe fatkeqësisht të larguar para kohe.

Marrë nga The Guardian, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë