Drejtësia

Qeveria e kundërshtoi një herë hartën e re gjyqësore të KLGj

Propozimi i hartës së re gjyqësore, ku shkrihen nëntë gjykata të rretheve dhe të gjitha gjykatat e Apelit jashtë Tiranës po kundërshtohet nga avokatët. Këta të fundit kanë njoftuar një bojkot treditor të seancave gjyqësore, duke filluar nga dita e martë deri më datë 17 qershor.

Por, kundër hartës së miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ditën e premte ka dalë së fundmi edhe opozita. Sali Berisha tha se kjo hartë shkel të drejtat e qytetarëve për akses në drejtësi dhe do t’u rrisë faturën e marrjes së drejtësisë. Ndërkohë, Enkelejd Alibeaj dhe një grup deputetësh të PD-së dorëzuan në Kuvend një kërkesë për interpelancë me Komitetin Shqiptar të Helsinkit për këtë çështje.

LEXO EDHE:
– Avokatët njoftojnë bojkotin kundër hartës së re gjyqësore: Shkel Kushtetutën
– PD me një zë për hartën e re gjyqësore: Privohen nga sistemi i drejtësisë banorë të 10 qyteteve

Sali Berisha akuzoi se pas kësaj harte qëndron Kryeministri Edi Rama. Por, disa muaj më parë kur diskutimet për hartën ishin në fazën fillestare, edhe Qeveria ishte kundër kësaj harte dhe qëndrimi kundër u shpreh përmes Ministrisë së Drejtësisë.

“Thelbi i hartës së re gjyqësore është përqendrimi i trupës gjyqësore. Ne do të shkojmë drejt variantit që do t’i çojmë shërbimet gjyqësore atje ku janë sot”, deklaronte ministri Ulsi Manja në tetor të vitit të kaluar.

Deklarata e Manjës nuk u reflektua në hartën e miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që në thelb është e njëjta që ky institucion i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë, që kur ky institucion drejtohej nga Etilda Gjonaj.

KLGj këmbëngulte që numri i gjykatave nëpër rrethe të ishte 12 dhe të organizoheshin me juridiksion të përgjithshëm sipas qarqeve, me përjashtim të Durrësit, ku sipas propozimit të miratuar tashmë do të përfshihet edhe Kavaja.

Për gjykatën e Sarandës, propozimi i parë i KLGj-së ishte shkrirja dhe trajtimi i çështjeve në Vlorë. Por, distanca e largët e transformoi propozimin duke kërkuar që Saranda t’i bëhej pjesë gjykatës së juridiksionit të përgjithshëm të Gjirokastrës.

Ky variant u kundërshtua nga Ministria e Drejtësisë, që kërkoi fillimisht që numri i gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm të mos ishte poshtë 15, ku 12 do të ishin sipas qarqeve dhe tre të tjera që do të ngriheshin duke pasur parasysh dendësinë e popullsisë dhe aksesin gjeografik të qytetarëve.

KLGj propozon gjithashtu shkrirjen e gjykatave të apelit dhe lënien vetëm të një gjykate apeli në Tiranë. Për gjykata administrative kërkohet ngritja e dy prej tyre, njëra në Lushnje dhe tjetra në Tiranë.

Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë, që s’u mor parasysh nga KLGJ parashikonte tre gjykata apeli. Njëra do të ishte në Tiranë dhe dy të tjerat të ndara njëra në jug dhe tjetra në veri. I njëti propozim u bë edhe për gjykatat administrative.

Varianti i miratuar nga KLGj është pritur me rezerva nga Ministria e Drejtësisë për shkak të përqendrimit të madh të gjykatave, si për numër popullsie, ashtu edhe hapësire gjeografike. Në diskutimet që ka pasur me KLGj, Ministria ndante të njëjtin shqetësim me avokatët dhe të opozitës sot, se këto variante mund të vështirësojnë edhe më tej aksesin e qytetarëve te shërbimet e sistemit të drejtësisë.

Veç kësaj, Ministria e Drejtësisë thotë se harta e re do të krijonte nevojën e ndërtimit të një godine të re me kosto gati 4.2 milionë euro, si edhe do të shtonte kostot e transportimit të të burgosurve, apo kostot e dietave të avokatëve kryesisht. Për këtë, ajo doli në përfundimin se ndikimi ekonomik negativ do të ishte më i lartë se efikasiteti në dhënien e drejtësisë. Ministria e Drejtësisë propozoi mbajtjen e katër gjykatave Apeli, ose në variantin më minimal, 3 të tilla. Lidhur me gjykatat e Shkallës së Parë, ministria nuk pranoi shkrirjen e gjykatave, por konfigurimin e disa prej tyre si degë të gjykatave më të mëdha të çdo qarku.

Kjo është arsyeja se përse, nisur edhe nga përmasa që do të marrë protesta e avokatëve, propozimi i KLGj-së mund të rrëzohet nga Qeveria për të gjetur një variant më të dakordësuar mes palëve.

Si propozohet harta e re gjyqësore? KLGJ propozon bashkim të Gjykatës së Durrësit me atë të Kavajës dhe Krujës dhe bashkim të Gjykatës së Dibrës me atë të Matit. Gjykatën e Fierit, KLGJ vlerëson ta bashkojë me atë të Lushnjës, ndërsa në jug synohet bashkimi i Gjykatës së Gjirokastrës me të Përmetit. Në të njëjtën formë, propozohet bashkimi i Gjykatës Kukës me atë të Tropojës, i Korçës me Pogradecin, i Lezhës me Kurbinin, si edhe bashkim i gjykatave të rretheve Shkodër dhe Pukë. Pra do të ketë 13 gjykata, nga një në 12 qarqe dhe Saranda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë