Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla vazhdon me kallëzimet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ditën e sotme ka depozituar një padi të re kundër kryetarit të PD, Lulzim Basha, deputetit Ervin Salianji dhe ish-drejtorit të Policisë Bashkiake të Tiranës në kohën e Bashës, Florenc Hoxha.
Balla i ka paditur për “Shpifje dhe kallëzim të rremë” të kryer në bashkëpunim.
Padia e Ballës vjen pas videos së kunatit të Babales, Fredi Alizoti, të cilin e intervistoi Florenc Hoxha dhe e publikoi Salianji.
Në videon e dytë për të cilën Balla depozitoi sot paditë, Alizoti pretendon se është marrë në makinë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe i është bërë presion për të dhënë në Prokurori dëshmi të rremë lidhur me çështjen “Babale”.
Për këtë çështje është nën hetim edhe deputeti i PD-së, Ervin Salianji, për kallëzim të rremë dhe dëshmoi javën e kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ndër të tjera tha se videon me kunatin e “Babales”, që publikoi ia kishte dhënë Florenc Hoxha. Ky i fundit dëshmoi sot në prokurori për më shumë se dy orë, ndërsa dje u pyet drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.