Lojëra me Dore

Rud dhe Rune ‘xixa’ pas ndeshjes, danezi tregon përplasjen

Gazeta Si – Holger Rune dhe Kasper Rud dhuruan spektakël në çerekfinalen e Roland Garros. ‘Show’ mes tyre vazhdoi edhe pas kuintave, pas ndeshjes, por në një mënyrë aspak elegante. Pati një fërkim mes tyre.

Tenisti danez, numri 40 i klasifikimit botëror dhe surprizë e madhe e turneut, ka treguar atë që ndodhi pas ndeshjes. Për të përditshmen “Ekstra Bladet”, ai ka pohuar se është sulmuar verbalisht nga kundërshtari, norvegjezi Rud.

“Kur ishim në dhomat e zhveshjes, ekipi i Rud erdhi të më përgëzonte për ndeshjen. Janë persona shumë miqësorë”, – ka shpjeguar 19-vjeçari nga Kopenhageni.

“Papritur Kasper u afrua dhe më ulëriti përpara fytyrës ‘jaaaa!’, duke festuar suksesin e tij. Për pasojë tonet u ngritën dhe i bërtita kundër vullnetit tim. I thashë se çfarë dreqin po bënte.

Mund të festosh dhe të bërtasësh në fushë, por ajo ulërimë në fytyrë ashtu është mungesë respekti”, – ka thënë me tej Rune. Nuk munguan ‘xixat’ në fakt edhe gjatë ndeshjes. Në një moment Rud i ka kërkuar danezit të mos flasë.

“Ishte shumë antisportiv gjithë ndeshjen. Prandaj nuk desha ta përqafoj apo t’i flas në fund. Kam thënë shpesh se e admiroj si lojtar dhe kam respekt për të, ndaj nuk e kuptoj sjelljen e tij ndaj meje.

Ndoshta do që të gjunjëzohem para tij? 99% e lojtarëve të turneut më respektojnë, mund të jetoj i qetë edhe pa konsideratën e tij”, – ka theksuar Rune.

Holger Rune. Gazeta Si, 2 qershor 2022

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë