Lojëra me Dore

Gjokoviç-Nadal, përplasje gjigantësh në Roland Garros

Gazeta Si – Do të jetë një super sfidë ajo mes Rafael Nadalit dhe Novak Gjokoviçit. Dy emrat e mëdhenj të tenisit botëror do të ndeshen në çerekfinale të Roland Garros. Një përplasje gjigantësh.

Gjokoviç mundi në 1/8-at Diego Shvartzman 6-1, 6-3 dhe 6-3. Rafael Nadal kaloi pas 5 setesh Feliks Auger Aliasime. Tani këta emra të mëdhenj do të luajnë ndeshjen numër 59 të sfidës së tyre të pafundme.

Novak Gjokoviç. Gazeta Si, 30 maj 2022

Serbi nuk vuajti aspak, vetë rezultati tregon qartë dominimin e tij ndaj Shvartzman. Në formë shumë të mirë fizike, Gjokoviç i mbylli llogaritë me tri sete. Ndeshja zgjati 2 orë e një çerek.

Rafael Nadal bëri një ndeshje të madhe. Spanjolli ishte epik edhe në moshën 36-vjeçare. Atij iu deshën 4 orë e 21 minuta për të mposhtur Feliks Auger-Aliasime. Rafa ia doli të kualifikohej me rezultatin 3-6, 6-3, 6-2, 3-6 dhe 6-3.

Është hera e tretë që Nadal fiton një ndeshje në setin e 5-të në Paris. Tani vjen sfida me Gjokoviç, para së cilës spanjolli duhet të rikuperojë energjitë.

Në çerekfinale ka kaluar edhe Aleksander Zverev, i cili mundi Berbabe Zapata Mirales 7-6, 7-5 dhe 6-3. Në çerekfinale gjermani do të ndeshet me Karlos Alkaraz. Ky i fundit nuk pati asnjë problem për të mposhtur 6-1, 6-4 dhe 6-4 rusin Karen Khaçanov.

Spanjolli 19-vjeçar është si një rul, që shtyp këdo që i del përpara. Ai e mbylli ndeshjen pas 2 orë e 14 minutash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë