Motosport

Vershtapen, kurioz për ndryshimet e Ferrarit para Spanjës

Gazeta Si – Piloti holandez i Red Bull-it, Maks Vershtapen, ka folur në prag të garës së Spanjës. Çmimi i Madh i kësaj fundjave ka shumë tema mbi tavolinë. Nga lufta mes Ferrarit dhe Red Bull-it, te diskutimi për çatinë e shpenzimeve.

“Nuk kemi shumë ndryshime këtu në Montmelò, – thotë holandezi. – Kemi bërë vetëm një reduktim të peshës. Makina jonë është ende pak e rëndë dhe duhet ta ‘dobësojmë’ pak.

Maks Vershtapen, kampion bote. Gazeta Si, 20 maj 2022

Sfida me Ferrarin është e fortë. Nëse shohim garat e fundit, ata janë aty, nuk e dimë çfarë avantazhesh do të kenë pas ndryshimeve që kanë bërë. Jam kurioz t’i shoh, por ne njohim mirë makinën tonë dhe kemi besim tek ajo.

Shpresojmë para së gjithash që fundjava jonë të jetë e pastër. Më shumë parakalime në këtë pistë me makinat e reja? Nuk e di, le të themi që për ne objektivi është që të qëndrojmë përpara gjithmonë”, – ka theksuar Vershtapen.

Kampioni i botës ka prekur më tej çështjen e limitit të shpenzimeve. Vershtapen nuk shqetësohet për këtë pjesë: “Nuk shoh probleme, sepse ‘budget cap’ është i njëjtë për të gjithë. Nisemi të gjithë njësoj”.

Në fund edhe një mendim për lodhjen fizike të pilotëve me veturat e reja: “Çdo sport kërkon një impenjim të madh fizik dhe në këtë pjesë ne jemi më me fat se sportistët e tjerë.

Pas reduktimit të lartësisë nga toka është pak më e vështirë për të drejtuar makinat. Duhet të gjesh ekuilibrin e duhur, por unë nuk kam pasur asnjëherë probleme”, – ka përfunduar Vershtapen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë