Ngjarje

Goditen 8 grupe kriminale, deri tani 18 të arrestuar. Mes tyre një polic dhe vrasës me pagesë

Gazeta Si - Tetë grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan janë goditur këtë të enjte gjatë një operacioni të SPAK dhe Policisë së Shtetit.

Sipas drejtuesit të SPAK, Arben Kraja, 4 grupe janë në Elbasan, 2 në Tiranë dhe 2 në Durrës.

Mes tyre është edhe shefi i Krimeve në Policinë e Lezhës, Leonard Palushi. Ai akuzohet për shpërdorim detyre. Por burimet shprehen se si u shiste informacioneve grupeve kriminale.

Ndërkohë, nga 32 urdhër-arreste të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme, janë ekzekutuar vetëm 18 masa.

Vetë kreu i SPAK, Arben Kraja, krah kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe dha detaje për operacionin.

Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve, janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Kraja tha se karakteristikë për këto grupe kriminale është dhuna e egër e treguar kryerjen e krimeve.

“Këta grupe kriminale janë dedikuar në veprat penale në dëm të jetës dhe shëndetit si edhe në drejtim të pasurisë. Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale”.

Sipas Krajës, gjatë hetimeve janë zbuluar disa vrasje me pagesë.

“Pjesëtarë të një grupi kriminal, në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri-tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore”, u shpreh ai.

I pyetur nëse janë identifikuar krerët e këtyre grupeve kriminale, Kraja la të kuptohej se po, por tha se nuk mund të jepte detaje.

Këto grupe, rezultojnë të përfshinë në ngjarje të shtrira nga 2011 deri në 2022 dhe ka disa dosje penale për të cilat vijon ende hetimi.

Puna për zbulimin e tyre nisi pas arrestimit të Nuredin Dumanit, për të cilin Kraja refuzoi të përgjigjej nëse është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.

Kraja u shpreh i vendosur se do i shkojë deri në fund operacionit. Ai mohoi që operacioni të jetë dekonspiruar, duke parë se nuk janë arrestuar “koklat” e krimit në vend.

“Nuk mund të jap emra për personat në kërkim, por të jeni të sigurt që do i shkojmë deri në fund. Pavarësisht nëse është i fortë apo jo dhe a ka mbështetje apo jo”.

Mes të arrestuarve në kuadër të operacionit është Leonard Palushi, shef i sektorit të krimeve në Qarkun Lezhë, ku më përpara ka qenë dhe shef në policinë e Elbasanit.

Kreu i SPAK u shpreh i rezervuar për të dhënë detaje për arrestimin e tij, por tha se “është dhënë masë sigurie arrest me burg për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”

Deri më tani kreu i Policisë së Shtetit, Nano tha se janë ekzekutuar, 18 urdhër arreste. Mes tyre janë emra si Nuredin Dumani, Altin Ndoci, Leonard Palushi, Erjon Alibej, etj.

Të arrestuarit janë: Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Ardian Uzuni, Altin Ndoci, Skerdi Tasi, Leonard Palushi, Fatos Gosa, Erion Alibej, Gentajan Sharra, Florenc Cekrezi, Elvis Koci, Ilirjan Feci, Petrit Qoli, Agron Qoli, Agron Qafa, Artan Plaka, Besjan Xhixha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë