Motosport

Alonso ironizon Hemilton: Herë e ke makinën të mirë, herë jo

Gazeta Si – Thumbat dhe ironitë në botën e sportit nuk mungojnë asnjëherë. Në një intervistë për “BBC”, Fernando Alonso ka ironizuar 7 herë kampionin e botës në Formula 1, Ljuis Hemilton. Kanë qenë shokë skuadre në të kaluarën, jo pa polemika.

Në moshën 41-vjeçare, piloti spanjoll ia lejon vetes të filozofojë për jetën dhe sportin. Alonso, aktualisht pilot i Alpine, sheh ngjashmëri mes Botërorit të tij dhe atij të një piloti ‘big’ në vështirësi, si Hemilton.

Fernando Alonso. Gazeta Si, 19 maj 2022

Piloti anglez i Mercedesit po vuan shumë gjatë këtij Botërori. Ai deri tani nuk ka mundur të jetë në linjën e makinave më të shpejta, Red Bullit dhe Ferrarit, që kryesojnë kampionatin.

“Kjo është natyra e sportit, – thotë Alonso. – Ndonjëherë ke një makinë më të mirë, ndonjëherë nuk ke makinë edhe aq të mirë dhe duhet të luftosh e të bësh progres.

Ljuis po garon mirë, si në tetë vitet e fundit. Ai po dominonte dhe po thyente rekorde, ndërsa tani është një sekondë pas të tjerëve. Pra, mirë se erdhe në botën time, Ljuis…”.

“Kjo është Formula 1, – vazhdon më tej ish-ferraristi. – Është një sport skuadre më shumë se çdo gjë tjetër. Jemi të prirur ta harrojmë këtë gjë, sidomos kur kemi sukses. Jemi të lumtur për atë që po arrijmë dhe, edhe pse provojmë ta ndajmë me skuadrën, meritat i merr të gjitha piloti”.

Më tej Alonso thekson: “Hemilton meriton gjithçka ka arritur në të kaluarën. Por ky vit tregon qartë faktin se gjithë ato rekorde dhe numra kanë një pjesë shumë të rëndësishme: makinën.

Besoj ende gjithsesi se Ljuis do ta përfundojë Botërorin para Rasëll. Kur gjërat të jenë më të komplikuara, apo situatat të jenë më të vështira për t’u përballuar. Ljuis do të ketë më shumë eksperiencë. Ndoshta edhe më shumë talent”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë