Gazeta Si - Arben Mërkuri, i cili mbante dhe mbiemrin Ismaili, mbeti i vrarë në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Sukthit në Durrës.
48-vjeçari u qëllua me armë zjarri brenda dyqanit të tij nga persona të paidentifikuar me automatik nga një makinë Mercedes Benz tip “GLE”.
Ai u dërgua me urgjencë në spital pasi fillimisht kishte mbetur i plagosur në gjendje të rëndë, por ndërroi jetë për shkak të plagëve.
Burime paraprake shprehen se Arben Mërkuri ishte person me precedent penal. Ai njihej me pseudonimin “Maneci”.
Më shumë se 20 persona janë shoqëruar në policinë e Durrësit në lidhje me vrasjen e tij.
Atentati ka pasur dëshmitarë, sipas të cilëve, një makinë luksoze, ngjyrë gri, ka ndaluar para lokalit të viktimës.
Në të ndodheshin 2 persona. Njëri ka zbritur në asfalt dhe ka qëlluar me breshëri, duke ekzekutuar 48 vjeçarin.
Autorët që kryen ekzekutimin dyshohen se janë profesionistë, vrasës me pagesë për vetë mënyrën e ekzekutimit.
Vrasja është kryer në distancë 20 metra, largësia nga rruga kryesore tek dyqani ku ishte Maneci. Eshtë qëlluar me breshëri të shkurtra. Paraprakisht dyshohet se mjeti i autorëve ka qenë me targa të vjedhura.
Në skedat e Policisë së Durrësit, ai evidentohet si person me precedent në fushën e lëndëve narkotike.
Po ashtu, ai dyshohet për krime kundër personit, të tilla si vrasje me pagesë, por zyrtarisht asgjë nuk është e dokumentuar.
Gjithashtu, Arben Mërkuri është një nga personat e dyshuar që mund të ketë marrë pjesë në dhunimin barbar të biznesmenit libanez Fadi Mitri, ngjarja e ndodhur në vitin 2016.
Vrasja e tij të mërkurën nuk ka ende një autor, teksa grupi hetimor po punon për të zbardhur ngjarjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.