Motosport

Suzuki konfirmon tërheqjen nga MotoGP në fund të 2022

Gazeta Si – Lajmi u bë i ditur ditë më parë, sot vjen edhe qëndrimi zyrtar i skuderisë Suzuki. Në fund të vitit 2022 skuadra japoneze do të tërhiqet nga MotoGP.

Suzuki ka shpërndarë sot një komunikatë, me anë të së cilës pranon se është në tratativa me ‘Dorna’-n, kompaninë spanjolle që organizon Botërorin. Qëllimi është që të gjendet një akord, që mund t’i lëra të kënaqura të dyja palët.

Foto ilustruese. Nje motor Suzuki gjate nje gare. Gazeta Si, 12 maj 2022

“Suzuki Motor Corporation është në bisedime me ‘Dorna’-n në lidhje me mundësinë për t’i dhënë fund pjesëmarrjes në MotoGP në fund të vitit 2022. Situata aktuale ekonomike dhe nevoja për t’i përqendruar forcat te ndryshimet e mëdha, bëjnë që Suzuki t’i spostojë kostot dhe burimet njerëzore për të zhvilluar teknologji të reja.

Duam të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për ekipin tonë Suzuki Ecstar dhe të gjithë atyre që kanë mbështetur aktivitetet tona për shumë vite. Një falënderim edhe për fansat e Suzukit për mbështetjen e tyre entuziaste”, – shkruhet në komunikatën zyrtare të skuderisë japoneze.

Janë fjalë që tingëllojnë si një lamtumirë e dhimbshme nga Sukuki. Ditë e fundit ‘Dorna’ kishte mbajtur qëndrim, duke kujtuar se “kushtet e kontratës së firmosur për të garuar në MotoGP nuk e lejojnë Suzukin për një një vendim të njëanshëm”.

Në rast të një akordi reciprok, ‘Dorna’ duhet të vendosë për numrin ideal të pilotëve dhe skuadrave në MotoGP nga viti 2023.

Pas vendimit të Suzukit ka ardhur edhe reagimi i dy pilotëve Mir dhe Rins. Të dy janë shfqur mjaft të zemëruar. “Kam qarë për tërheqjen e Suzukit”, – tha Aleks Rins. Joan Mir në anën tjetër pohoi se tashmë ndryshon gjithçka: “Tani motivimi ndryshon”.

Dy pilotët e Suzukit tani duhet të gjejnë një skuderi të re për të vazhduar karrierën e tyre në vitin 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë