Njerez

Shërbimet online përmes e-albania, pensionistët: E kemi të pamundur!

Duke filluar që nga data 1 maj në të gjithë vendin shërbimet në institucionet janë online. Aplikimet e të cilave realizohen nëpërmjet platformës “e-albania”.
Por diçka e tillë duket se nuk funksionon dhe ka sjellë shumë vështirësi për qytetarët. Kjo më shumë për më të moshuarit dhe personat e varfër dhe të paarsimuar.

Vera është një pensioniste, e cila jeton vetëm me bashkëshortin e saj dhe që shprehet e revoltuar për këtë vendim.

Ajo vëren se tani ka vështirësi për të marrë pensionin. Kështu i bie që të mos ketë as për të ngrënë.
“Më thanë të sjell dokumentet dhe tani më thonë të aplikoj online te e-albania. Ku di unë ta përdor! Nuk di ku të shkoj dhe as çfarë të bëj. S’kam afër as djemtë dhe as nusen dhe nuk ka kush të më ndihmojë”,- shprehet ajo për Gazetasi.al

“Unë s’di ta bëj.Do të shkoj në ndonjë zyrë që të më ndihmojnë”,- thotë një tjetër i moshuar.
Megjithatë ka edhe nga ata persona, të cilët edhe pse e përdorin internetin dhe shërbimin online, shprehen të pakënaqur me shërbimin.

“Jam futur disa herë në portal, por faqja ka probleme dhe nuk hapet”,- thotë një grua rreth të 40-ave.
Kalimi i shërbimeve online është lehtësi e madhe për shumë njerëz. Atyre nuk do t’u duhet të qëndrojnë në radhë në sportele. Por nga ana tjetër, ky shërbim është një problem më vete për një kategori tjetër personash.
Duke nisur nga 1 maji janë me dhjetëra shërbime, të cilat do të kryhen vetëm online përmes portalit e-albania.
Zyrat e gjendjes civile do të jenë të parat sportele që nuk do të funksionojnë më fizikisht, por vetëm online.
Punonjësit e këtyre zyrave nuk do të largohen nga puna. Ata do të vijojnë të ushtrojnë detyrën, tashmë jo më në sportele, por përmes shërbimeve online.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë