Nga Gazeta Si - Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar pas deklaratës së ministres së Kulturës, Elva Margariti, për çështjen e Butrintit.
“A po i ‘shitet’ Butrinti të huajve? Përgjigjja është thjesht: Jo!”, shkruante ministrja Margariti një ditë më parë në Facebook.
Ndërkohë, Forumi me anë të një reagimi në rrjetet sociale, i drejton dy pyetje ministres, ndërsa kërkon të sqarohet publiku lidhur me këtë mënyrë të re menaxhimi.
Forumi sqaron se prej ditësh ditësh ajo që po kërkojnë është transparencë për bordin që do administrojë Butrintin, dhe jo denoncimin për shitjen e këtij Parku Kombëtar.
“Në vazhdën e postimeve të ministres mbi çështjen e Butrintit, duhet të sqarohet publiku se askush nga specialistët që po kundërshtojnë mënyrën se si Ministria e Kulturës po kërkon të japë një prej pasurive më të rëndësishme të trashëgimisë nuk ka denoncuar shitjen e tij. A mund të thotë ministrja e Kulturës cila është CV e këtij bordi që do administrojë Butrintin në fushën e trashëgimisë?”, thuhet në deklaratën forumit.
Po ashtu, një tjetër pyetje që i drejtohet ministres Elva Margariti është se përse nuk ekziston më bordi i krijuar në korrik 1998, ku me një vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Butrinti kaloi në varësinë e drejtpërdrejt të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
“Së dyti, në korrik 1998, me një vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Butrinti kaloi në varësinë e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Krijohet Bordi i Butrintit me kryetar bordi vet Ministrin e Kulturës, si dhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Antik të Butrintit (VKM nr. 450, 1 Korrik 1998). Anëtarë të bordit ishin Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Monumenteve, agjencia e Mjedisit, pushteti vendor dhe zyra e UNESCO. Përse ky bord nuk ekziston më?”.
Pas deklaratës së ministres, ka reaguar edhe deputetja e PD-së, Ina Zhupa, e cila thotë se këto janë përralla që nuk zhbëjnë të vërtetat.
“Përgjigje për ministren e (ç)Kulturës! Butrinti nuk është pronë e asnjë qeverie, por e shqiptarëve dhe e Shqipërisë! Butrinti nuk shitet se nuk do mjaftonin paratë e botës për ta blerë atë! Përrallat e ministres ‘që nuk po e shet’ nuk zhbëjnë të vërtetat”, shkruan Zhupa.
Zhupa shton se do të jetë e pranishme në komisionet parlamentare për të demaskuar çdo mashtrim.
Ditën e djeshme, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në një reagim, njoftoi edhe se shqiptaro-amerikani Cafo Boga, anëtari i bordit të AADF prej 25 vitesh, dha dorëheqjen para përfshirjes së tij në çështjen e Butrintit.
Përmes një letre, ai ka renditur të gjitha arsyet lidhur me këtë vendim të tij.
Teksa i referohet rastit të Butrintit, Boga tregon se AADF nuk ia prezantoi bordit të gjitha faktet dhe dokumentet lidhur me projektin në fjalë, në të kundërt do të ishin ndërmarrë hapa për të vepruar ndryshe. Mungesa e transparencës dhe keqkuptimet janë bërë shkak që ia të japë dorëheqjen nga bordi.
“AADF filloi me një plan të integruar menaxhimi për zonën e Trashëgimisë Botërore të Butrintit, si një nga vendet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe më e vështira për t’u zbatuar. Pas shumë ecejakeve dhe punës së mundimshme, plani u aprovua dhe do të përdoret si prototip për objekte të tjera të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike, si Kompleksi i Amfiteatrit të Durrësit. Më duhet të përmend se ky projekt ka shkaktuar shumë polemika dhe vazhdon të shkaktojë, për shkak të rolit të Fondacionit dhe mënyrës se si u zbatua. Sinqerisht, neve si bord nuk na u prezantuan të gjitha faktet dhe dokumentet lidhur me këtë projekt, përndryshe ne mund të kishim diskutuar më thellë dhe ndoshta të kishim vepruar ndryshe. Mungesa e transparencës dhe keqkuptimi luajti një rol në të gjithë këtë…”, është shprehur ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.