Politike

Drafti i Alibeajt, Salianji: Nuk është diskutuar në grup

Drafti i hedhur në medias si draft i grupit parlamentar të PD-së për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, nuk gëzon jo vetëm mbështetjen e deputetëve të Rithemelimit, por as atë të grupit të deputetëve që nuk janë rreshtuar haptazi me asnjërën palë brenda grupit.

Deputeti Ervin Salianji doli me një deklaratë për mediat ku tha se drafti nuk është konsultuar me deputetët dhe nuk ka pasur as mbledhje të kryesisë së grupit parlamentar. Në draftin e publikuar në emër të Enkelejd Alibeajt si kryetar i grupit parlamentar propozohet ndër të tjera që kandidati për president nuk duhet të jetë i përfshirë në politikë në pesë vitet e fundit. Këtë parashikim, Salianji e cilësoi si ‘ardhje pas avazit të Edi Rama’.

“Të thuash që kandidati për President nuk duhet të jetë përfshirë në politikë 5 vitet e fundit është t’i shkosh pas avazit Edi Ramës. Edi Rama ka deklaruar që Presidenti duhet të jetë apolitik dhe jo nga grupet parlamentare”, tha Salianji.

Sipas deputetit të PD-së, ky kusht duhet të hiqet dhe për këtë solli si shembull rastin e Presidentit italian, Sergio Mattarella.

Drafti i propozuar nga Alibeaj kërkon që gjatë 5 viteve të fundit, Kandidati për president nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake. Përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit.

Duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë. Nuk duhet të ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, si dhe në periudhën e komunizmit të mos ketë qenë funksionar shtetëror.

Gjithashtu, kandidati për President i Republikës duhet të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit dhe duhet të ketë një përvojë në punën e tij për të paktën 15 vjet.

Në bazë të këtyre kritereve, drafti propozon edhe procedurën e zgjedhjes së një emëri konsensual. Sipas draftit, opozita në parlament propozon 4 emra. Mazhoranca përzgjedh dy dhe skualifikon dy të tjerë përmes një komisioni me 6 anëtarë, tre nga shumica, tre nga pakica.

Ky komision shqyrton më pas 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bie dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë