Lojëra me Dore

Alkaraz triumfon në Masters 1000 të Madridit, Zverev i përulet ‘baby fenomenit’

Gazeta Si – Pas Rafael Nadalit dhe numrit 1 Novak Gjokoviç, edhe Alekander Zverev i është përulur djaloshit Karlos Alkaraz. “Baby fenomeni” spanjoll ka fituar turneun Atp Masters 1000 të Madridit, pasi mundi në finale gjermanin, numrin 3 të renditjes botërore, në dy sete (6-3 dhe 6-1). Ishte një triumf pa shumë histori në dheun e kuq spanjoll, një ndeshje që zgjati një orë e 4 minuta.

Në finale ndoshta është më mirë të mos ndeshesh me Alkaraz. Ai ka luajtur 5 të tilla dhe të gjitha i ka fituar pa humbur asnjë set. Në moshën 19 vjeç e 3 ditë, është më i riu që fiton 5 tituj Atp që nga koha e Rafa Nadal. Ai është lojtari i 6-të në erën Open, i aftë të imponohet në 5 finalet e para që ka luajtur.

Alkaraz me trofeun e fituar ne Madrid. Gazeta Si, 8 maj 2022

Po ashtu, Alkaraz është i pari që ka mundur Nadalin dhe Gjokoviçin në të njëjtin event në dhe, si dhe i pari që mund tre tenistë të ‘Top 4’ në një Masters 1000, pas David Nalbandian, i cili ka eliminuar “Fab 3” në Madrid, por në salla të mbyllura, në 2007-ën. Alkaraz nuk vuajti për të mbajtur ritmin në finalen ndaj Zverev.

Karlos Alkaraz ka bërë të ndihen të vjetër Nadal dhe Gjokoviç, por edhe Zverev u detyrua të luante vazhdimisht në mbrojtje. Edhe kur arrinte të shkurtonte diferencën, spanjolli shkëputej sërish me lehtësi. Ai është lojtari i së ardhmes. Sot, përtej klasifikimit, ku do të mbajë vendin e 6-të, renditja e tij më e mirë deri tani, Alkaraz mund të konsiderohet tenisti më i fortë në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë