Gazeta Si – Në historinë e Botërorit, ai që ndodhet përreth “Hard Rock Stadium” të Majemit dhe që pritet të jetë një kapitull i ri në sfidën mes Leklerk dhe Vershtapen, është lokaliteti i 11-të i ndryshëm që do të presë një garë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vend që për Formulën 1 dhe gjithë motosportin, ka përfaqësuar gjithmonë një horizont të karikuar dhe tërheqës.
Në origjinën e teatreve të shumta të Çmimeve të Mëdha të zhvilluara deri tani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Formula 1 ka pasur gjithmonë vështirësi për të gjetur një ‘shtëpi’ fikse.

Në historinë e Botërorëve, Majemi është paraprirë nga Indianapolis, Sebring (në Florida, si Majemi), Riversajd në Kaliforni, Uoatkins Glen në Nju Jork, Long Biç në Kaliforni dhe Las Vegas në Nevada. Pastaj në Detroit në Miçigan, Dallas në Teksas, Feniks në Arizona, sërish në Indianapolis dhe Austin.
Janë 10 lokalitetet të ndryshme para Majemit. Në total këta cirkuite kanë pritur 71 gara të vlefshme për Botërorët e Formulës 1.
Në nivel global, ‘Miami International Autodrome’ është impianti i 77-të që organizon një Çmim të Madh të Formulës 1 dhe nga kjo pikëpamje është e vetmja ‘new entry’ e sezonit, që në Florida zhvillon garën e 5-të. Cirkuiti është 5 kilometra e 410 metra i gjatë dhe përbëhet nga 19 kthesa. Segmenti më i gjatë i drejtë është 1 kilometër e 280 metra, ndërkohë që janë 3 zonat DRS.

Simulimet e bëra në kompjuter parashikojnë një shpejtësi maksimale prej 320 kilometrash në orë. Shpejtësia mesatare e një xhiroje parashikohet 223 kilometra në orë. Gazi do të jetë krejtësisht i hapur për më shumë se gjysmën e xhiros, saktësisht në 58% të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




