Treg

U kundërshtua nga fermerët, Qeveria tërhiqet nga projektligji i kultivimit të duhanit

Qeveria është tërhequr nga projektligji për kultivimin e duhanit. Akti ishte një nismë e Ministrisë së Bujqësisë që në kohën kur kjo e fundit drejtohej nga Bledi Çuçi. Projektligji u kundërshtua nga shoqatat e kultivuesve të duhanit dhe fermerët, të cilët thanë se ai nuk garantonte mbrojtjen e kultivuesve nga grumbulluesit dhe përpunuesit.

Petrit Paja, kreu i Shoqatës së Kultivuesve të Duhanit ‘Dumrea’ tha për Gazetën “Si” se ligji në fjalë nuk mbron fermerin nga kompanitë abuzuese dhe solli si shembull rastin e kompanisë Mika Korça, e cila në 2015-2016 deklaroi falimentimin me një detyrim të pashlyer prej 1.4 mld lek të vjetra për rreth 1100 kultivues duhani të zonës së Dumresë.

Projektligji u kundërshtua edhe me argumentin se shfaqte probleme të theksuara dhe pabarazi në trajtimin juridik mes prodhuesit nga njëra anë dhe grumbulluesit dhe përpunuesit nga ana tjetër, duke favorizuar këta të fundit.

Shoqatat kërkojnë që Shqipëria të adoptojë kuadrin ligjor për kultivimin e duhanit që ka Greqia dhe aderimin e vendit tonë nëpër marrëveshjet ndërkombëtare të kultivimit të duhanit, që sipas tyre do të rriste konkurrencën, çmimin dhe do të krijonte markën shqiptare të duhanit, që aktualisht shitet si produkt grek ose turk.

Projektligji i tërhequr, sipas Ministrisë së Bujqësisë synonte zgjidhjen e informalitetit në kultivimin e duhanit dhe mes parashikimeve kishte edhe një nen që sanksiononte asgjësimin, apo sekuestrimin e duhanit nëse fermeri e mbillte pa një kontratë paraprake të shitjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë