Lojëra me Dore

Uimbëlldoni hap dyert për të pavaksinuarit, por jo për rusët dhe bjellorusët

Gazeta Si – “Masat e marra nga qeveria për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar nuk e përfshijnë vaksinimin e detyruar”. Uimbëlldoni hap kështu dyert për të pavaksinuarit. Sipas deklaratës së administratorit të “All England Lawn Tennis Club”, Sally Bolton, tenistët e pavaksinuar ndaj Covid-19 mund të marrin pjesë në turneun që nis më 27 qershor.

“Edhe pse ne e inkurajojmë vaksinimin, ai nuk është një kusht për pjesëmarrjen”, – ka shtuar Bolton. Një lajm domethënës për numrin 1 në botë, Novak Gjokoviç. Serbi, duke qenë i pavaksinuar, në fillim të vitit humbi Australian Open, kurse në muajin mars edhe turneun amerikan.

Medvdev dhe Rublev, dy tenistet ruse qe do te mungojne ne Uimbelldon. Gazeta Si, 27 prill 2022

Ashtu siç u paralajmërua javën e kaluar, pjesëmarrja në turneun e Uimbëlldonit u është ndaluar tenistëve rusë dhe bjellorusë. Ian Hewitt, president i “All England Lawn Tennis and Croquet Club’, ka shpjeguar: “Qeveria britanike e ka përcaktuar qartë linjën në lidhje me eventet sportive në Britaninë e Madhe, me objektivin për të limituar influencën ruse.

Kemi ndjekur këtë linjë, sepse jemi një turne i nivelit të lartë dhe një institucion në fushën e sportit. Kemi parë me kujdes të gjitha opsionet e mundshme, duke përfshirë edhe atë të deklarimit kundër luftës dhe qeverisë ruse, por kjo do të sillte rrezik për lojtarët dhe familjet e tyre”.

Vendimet e fundit kanë ngjallur diskutime dhe reagime brenda komunitetit tenistik, duke nisur nga Andrei Rublev, moskovitit numër 8 në renditjen botërore. Ai e ka konsideruar diskriminuese zgjedhjen e organizatorëve të turneut britanik. Edhe Gjokoviç ka thënë se është një vendim ‘i çmendur’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë