Drejtësia

Detarët shpallen të pafajshëm, dënohet skafisti për trafikun e klandestinëve

Gazeta Si – Shpallen të pafajshëm 5 detarët të dyshuar për përfshirjen e trafikimit e klandestinëve nga Shqipëria drejt Italisë.

Ndërkohë, Gjykata e Vlorës, ka dënuar me 9 vite burg skafistin dhe 6 vite pronarin e hotelit ku strehoheshin sirianët.

Detarët kanë fituar pafajësinë për akuzën e shpërdorimit të detyrës në rastin e kalimit të paligjshëm të 55 emigrantëve nga Lindja e Mesme.

Ngjarja ndodhi në 8 janar 2021, teksa mjeti lundrues me të cilin po i drejtoheshin Italisë, pësoi avari.

Gjyqtarja, Arbana Selmanaj, ka rrëzuar akuzat për Besmir Meçaj, Bledar Bufaj, Sejfulla Beja, Roland Canaj dhe Ardit Alika.

Prokuroria e Vlorës kishte kërkuar deklarimin fajtorë dhe dënimin me 1.6 vite burg për secilin prej tyre për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Akuza pretendon se ushtarakët e Flotës, efektivë të anijes “P-116”, shkelën rregullat, duke u ofruar ndihmë dy skafistëve.

Sipas akuzës, ata më pas janë hedhur në det dhe kanë dalë në breg, duke mos u arrestuar nga Policia e Vlorës.

Ndërsa detarët gjithmonë kanë mbajtur qëndrimin se shmangën një tragjedi të mundshme.

Gjykata vendosi dënimin me 9 vite burgim për skafistin Emiljano Likaj dhe 6 vite burg për Qazim Ismailin, i cili strehonte emigrantët.

Ndërsa Fatos Dusha, pronari i hotelit në Tiranë ku qëndronin emigrantët, mori pafajësi.

Emiljano Likaj dhe Qazim Ismaili pritet të dalin edhe përpara Gjykatës së Posaçme, si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të klandestinëve në 3 shtete.

Në janar 2021, rojet bregdetare dhe policia e Vlorës arritën të shpëtojnë 55 klandestinë nga Lindja e Mesme, të cilët kishin mbetur në det për shkak të kushteve të këqija të motit, me qëllimin për të shkuar me gomone drejt Italisë.

Një telefonatë SOS “po mbytemi” nga një numër shqiptar ka çuar rojën bregdetarë gjatë natës në grykëderdhjen e lumit Vjosë, pranë fshatit Poro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë