Rend dhe Ligj

Arrestohet drejtori i burgut të Reçit, dyshohet se i fuste të dënuarve në qeli sende të ndaluara

Gazeta Si – Drejtori i komanduar në burgun e Reçit në Shkodër, Ervis Zika është arrestuar, pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe vjedhje.

Ai akuzohet për vjedhje duke shpërdorur detyrën, e konkretisht për vjedhje karburanti, duke firmosur dokumente fiktive.

Në lidhje me abuzimin me karburantin po hetohen edhe ish-zyrtarë të tjerë.

Ervis Zika dyshohet edhe që të ketë futur sende të kundërligjshme në burgun e Reçit, pasi në disa raste ka hyrë në ambientet e burgut pa kaluar në skaner.

Zika u vu në pranga me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, konfirmoi mbrëmjen e djeshme ministria e Drejtësisë.

Gjykata e Shkodrës ka caktuar “arrest me burg” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Brenda disa orësh nga arrestimi i drejtorit të komanduar të burgut të Reçit, është gjetur zënvendësuesi i tij.

Ai do të jetë Seit Vuçaj, i cili do të prezantohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija.

Arrestimi i Zikës vjen pas disa ngjarjeve të ndodhura më parë në këtë burg, që në kohën kur drejtohej nga Maliq Meta.

Ky i fundit është shkarkuar nga posti i drejtorit të Burgut të Reçit në Shkodër, më 12 janar të këtij viti.

Bashkë me të edhe Robert Bundo, Shefi i policisë në këtë institucion dhe polici Gëzim Qoshku.

Pezullimi i tyre nga puna erdhi pas akuzave se falsifikuan raportin për një konflikt fizik brenda burg

Gjatë atyre ditëve u pezulluan dhe arrestuan dy specialistë-psikologë në burgun e Reçit të akuzuar se merrnin para në këmbim të disa shërbimeve në burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë