Motosport

Vershtapen ‘ngrin’ Leklerk një xhiro para fundit, fiton garën Sprint në Imola

Gazeta Si – Kampioni Maks Vershtapen ka ‘ngrirë’ sërish Imolan. Holandezi i Red Bull-it ka fituar garën Sprint, duke parakaluar një xhiro para fundit Ferrarin e Sharl Leklerk, që kishte kaluar në delir publikun italian.

Vershtapen do të niset i pari në garën e së dielës, pas tij Leklerk, i cili do të riprovojë në garën që vlen më shumë. Vendi i tretë i takon Serxhio Perezit me Red Bull-in tjetër, kurse në vend të katërt ka dalë Karlos Sainz, i cili rikuperoi nga vendi i 10-të.

Në rreshtin e tretë makinat MekLaren të Lando Norris dhe Daniel Riçardo, pastaj Valteri Botas dhe Kevin Magnusen. Mbeten anonime sërish dy makinat Mercedes, me Xhorxh Rasëll në vend të 11-të dhe Ljuis Hemilton në vend të 14-të.

Nisja ishte mjaft emocionuese, Leklerk u shkëput menjëherë dhe Vershtapen nuk mundi të bënte asgjë. Por menjëherë u fut në pistë Safety Car, sepse duhej hequr Alfa Romeo e Guanyu Zhou, që u prek nga prapa nga AlphaTauri i Pierr Gaslit. Më pas francezi tentoi shkëputjen në krye, ndërsa fundi ishte nën shenjën e Red Bull-it.

Vershtapen iu afrua ‘presë’ së tij dhe një xhiro para fundit e parakaloi Leklerkun. Holandezi ka fituar 8 pikë pas kësaj gare, ndërsa dueli me francezin do të vazhdojë të dielën, ku priten të tjera emocione.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë