Gazeta Si –Legalizimi i kanabisit mjekësor të paralajmëruar më herët nga kryeministri Rama, rrezikon të shtojë kultivimin në mënyrë abuzive.
Për këtë, Bledi Çuçi ka urdhëruar të gjithë krerët vendorë të policisë të përforcojnë kontrollin ndaj këtij fenomeni.
Ministri i Brendshëm tha se çështja e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore do të diskutohet edhe me strukturat.
LEXO EDHE
– Këshillimi, shqiptarët ‘rrëzojnë’ certifikatat e vaksinimit, por ‘legalizojnë’ kanabisin
– Legalizimi i kanabisit, politikë ekonomike apo siç ka thënë dikur Bilali, pa qenë tym nuk flet dot djali?
“Sot ishte për të bërë një analizë me drejtorin e Përgjithshëm dhe të gjithë drejtorët dhe shefat e komisariateve. Bëmë një analizë të planit të 4 mujorit të parë dhe lamë detyrën për 4 mujorin e ardhshëm”, – tha ministri.
Megjithatë, ai u shpreh i prerë dhe tha se toleranca ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm do të jetë zero.
Sipas Çuçit, ka një tendencë për ta ngatërruar iniciativën e qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore me kultivimin apo trafikimin për qëllime përdorimi apo rekreative.
“Nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën, ashtu siç e kam përmendur në qëndrimet e mia publike”, – vijoi Çuçi pas takimit me drejtorët e policisë në qarqe.
Ministri theksoi se do të “shtohen forcat dhe kontrolli në territor, në mënyrë që të mos abuzojë askush, qoftë i keqkuptuar, qoftë duke e përdorur si një mundësi për të krijuar një terren për të rritur kultivimin”.
Palët bënë një analizë të përgjithshme dhe kishin dhënë direktivat sa i takon menaxhimit të situatës në luftën kundër kanabisit dhe kontrollit të territorit për 4 muajt e ardhshëm.
Gjatë Kongresit të Partisë Socialiste në 9 prill, kryeministri Rama deklaroi se legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore, “do të bëhet, se kështu duan shqiptarët”, duke iu referuar këtu rezultateve të këshillimit kombëtar.
Rama paralajmëroi se në pyetësorin e radhës, do të shtrojë pyetjen për qytetarët që të legalizohet përdorimi i tij vetjak, jo vetëm mjekësor.
Ndërkohë, sa i përket premtimit për rritje rroge për punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit të tyre, Çuçi sqaroi.
“Po mbyllen procedurat me akte nënligjore. Kemi pasur një po themi, ngadalësim të këtij procesi me krizën që ndodhi, por shumë shpejt besoj unë në mos gaboj do jetë muajin tjetër, të gjitha ato që kemi premtuar dhe parashikuar në buxhetin e shtetit, do të realizohen për punonjësit e policisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.