Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, në një dalje për mediat nga selia blu ka akuzuar qeverinë se vendi është në duart e krimit.
“Në një kohë që policia e Fatmir Xhafajt është ngritur e gjitha në këmbë, për të mbrojtur vëllanë e tij trafikant droge, Shqipëria është zhytur në kaos dhe kriminalitet”, e nisi deputetja fjalën e saj.
Sipas saj, policia është e angazhuar që të mbrojë vëllanë e ministrit të Brendshëm, i cili është trafikant droge, ndërkohë që në 24 orë numërohen 5 të vrarë.
“Mbrëmë një 13-vjecare humbi e dërrmuar me armë në bark, një vdekje fëmije aq e rëndë sa mjekët dyshonin nëse ishte goditje me armë prerëse. Një krim që ka fytyrën e varfërisë, mjerimit dhe abandonimit, ku dhe dëshmitarët familjarë kanë aftësi të kufizuara për të dëshmuar. Dy orë më parë sërish raportohet një plagosje me armë në Tiranë, i plagosuri në spitalin e Traumës. Jo ditë pas dite, por orë pas ore vendi është në panik, në pasiguri të plotë”, tha ndër të tjera Duma.
Gjithashtu, deputetja akuzoi policinë se është vendosur e gjitha në shërbim të vëllait të Ministrit të Brendshëm.
“Ministri Fatmir Xhafaj, i kapur mat ndërsa i siguron mbrojtje vëllait të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, flet për aksione imagjinare kundër krimit, nxjerr letra me statistika. Ndërkohë krimi godet çdo orë në çdo skaj të Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.