Drejtësia

Tahiri i përgjigjet SPAK-ut me rekurs, kërkon pafajësinë në Gykatën e Lartë

Gazeta Si - Sajmir Tahiri i përgjigjet SPAK-ut me rekurs, duke kërkuar pafajësinë e tij në Gjykatën e Lartë.

Ish-ministri i Brendshëmi dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dorëzuan këtë të enjte ankimim kundër vendimit të dënimit me burg.

Tahiri dhe Çela kërkojnë prishjen e vendimit të Apelit dhe shpalljen të pafajshëm nga akuzat për shpërdorim detyre.

LEXO EDHE:
- Favorizoi me ndërgjegje grupin ‘Habilaj’, Gjykata zbardh arsyetimin e vendimit për Saimir Tahirin
- Foto-Video/ Saimir Tahiri dënohet me 3 vite e 4 muaj burg, del me pranga nga gjykata
- Saimir Tahirin e njohu xhaxhai me kushërinjtë Habilaj

Ishte SPAK dy ditë më parë që iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, duke kërkuar cilësimin e veprës penale “trafik droge në kuadër të grupit strukturuar kriminal”.

Po ashtu SPAK kërkoi nga kjo gjykatë kthimin e dosjes sërish për rigjykim në Apel me një trupë të re gjyqtarësh.

Prokuroria shprehet se Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela duhet të gjenden fajtorë për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas akuzave të reja në rekurs, ata duhet të dënohen me nga 12 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbret në 8 vite.

Ish-ministri Saimir Tahiri u dënua me 3.4 vite burg nga Gjykata e Apelit për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi  u provua lidhja e tij me kushërinjtë Moisi dhe Artan Habilaj, lidhje që më tej ka lehtësuar aktivitetin e grupit kriminal.

Pas një seance maratonë në 7 shkurt 2022, GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.

Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm. Drejtësia shqiptare e shënjestroi, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit. Aktualisht, ai po vuan dënimin në Fier në burgun e sigurisë së zakonshme.

Ndërsa ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela është liruar disa javë më parë pasi kishte shlyer 2/3 e dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë