Gazeta Si – Ja ku vjen edhe zyrtarizimi. Karlos Sainz do të garojë për Ferrarin të paktën deri në vitin 2024. Skuderia italiane ka bërë me dije se ka zgjatur kontratën me pilotin spanjoll edhe për tre sezone të tjera.
Sainz u vesh i kuq që prej sezonit të kaluar dhe bashkë me Sharl Leklerk synon që ta kthejë Ferrarin te titulli botëror. “Jam shumë i lumtur që kam rinovuar kontratën me Ferrarin. Kam thënë gjithmonë se në Formulën 1 nuk ka skuadër më të mirë për të garuar dhe pas më shumë se një viti me të mund të them se kjo eksperiencë i ka kaluar pritshmëritë e mia.
Të mbaj veshur uniformën e kuqe dhe të përfaqësoj një skuderi të madhe, është një nder i madh për mua. Jam krenar që do ta vazhdoj këtë aventurë. Sezoni im i parë në Maranelo ishte solid dhe konstruktiv, jemi rritur bashkë dhe rezultatet e punës së bërë po shihen në këtë fillim të sezonit”, – ka thënë Sainz pas rinovimit.

“Rinovimi konfirmon besimin e plotë të skuadrës tek unë dhe kjo më bën të jap më të mirën. Mezi pres të garoj dhe t’u jap sa më shumë kënaqësi tifozëve të Ferrarit”, – ka shtuar më tej spanjolli.
Nga ana tjetër, Matia Binoto, drejtues i Ferrarit, është shprehur: “E kam thënë gjithmonë se jam i bindur që kemi çiftin më të mirë të pilotëve të Formulës 1. Të konfirmonim besimin tonë ndaj Karlosit, duke zgjatur kontratën, ishte një hap natyral. Karlos ka dhënë prova se është talenti që gjithmonë kemi menduar, në gjendje të arrijë rezultate të rëndësishme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




