Kreu i PD, Lulzim Basha, mesditën e kësaj të premteje ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës për çështjen “Xhisiela”, pas padisë së Taulant Ballës për shpërdorim detyre, shpifje dhe fyerje.
Pasi ka dalë nga ambientet e prokurorisë, kryedemokrati Basha në një prononcim të shkurtër për mediat deklaron se thirrja e tij në Prokurori nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të një regjimi.
“Kur regjimet e korruptuara janë afër fundit, faza e fundit është përdorimi i shtetit me shpresën për të mbytur zërin e opozitës dhe për të shpëtuar shtetin e inkriminuar. Thirrja për t’u paraqitur në prokurori nuk është fundi i opozitës”, u shpreh Basha.
Gjithashtu përcolli edhe një mesazh për kryeministrin Rama, duke u shprehur se as nuk trembet dhe as nuk shantazhohet.
“PD unë dhe shqiptarët e vendosur për të larguar krimin nga politika, as nuk trembemi as nuk shantazhohemi nga makinacionet politike të Edi Ramës por jemi të vendosur të çmontojmë krimin nga politika”, tha Basha.
Pas denoncimit të Emiljano Nuhut dy javë më parë, Balla kallëzoi penalisht Lulzim Bashën, Edi Palokën, Enkelejd Alibeajn, Basir Çollakun dhe Emiljano Nuhun. Ish-oficeri i Krujës, Nuhu, që kërkoi azil në Zvicër pretendon se në datë 21 korrik është kërcënuar me armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Sipas Ballës, kryeopozitari në bashkëpunim me ish-nënkomisarin Emiljano Nuhu e gazetarin Basir Collaku, sajuan një skenar me qëllim dëmtimin e imazhit të tij.
Emiljano Nuhu pretendon se gjithçka ndodhi në momentin kur tentoi të arrestonte Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist, Rrahman Rraja, i cili ishte denoncuar nga ish-e dashura Xhisiela Maloku për dhunë e përndjekje.
Intervista e Nuhut u transmetua edhe nga selia e PD dhe Lulzim Basha hodhi akuza të rënda ndaj socialistit Balla. Për të gjitha këto, kryedemokrati pritet të japë shpjegime sot përpara grupit të hetimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




