Motosport

Më shumë pikë dhe rreshtimi në nisje, si funksionon formati i ri i F1 Sprint!

Gazeta Si – Këtë fundjavë debuton formati i ri: kualifikueset tradicionale do të bëhen ditën e premte, duke përcaktuar ‘pole position’ dhe rreshtimin para garës Sprint të së shtunës. Gara prej 100 kilometrash do t’i japë 8 pikë fituesit dhe sipas mbërritjes në finish do të skicohet edhe rreshtimi për nisjen e garës të së dielës.

Në Imola do zhvillohet për herë të parë F1 Sprint, minigara e së shtunës, i ideuar për ta barë fundjavën më emocionuese. ‘Sprint Qualifying Race’ e kemi parë vitin e kaluar në Silverston, Monca dhe San Paolo, kurse këtë vit ky format i riparë do të aplikohet në Imola, Zeltveg dhe po në San Paolo.

Foto ilustruese. Nga një garë në Formula 1. Gazeta Si, 18 prill 2022

Si funksionon? Bëhet fjalë për një garë 100 km, pa detyrimin për pit stop. Në krahasim me formatin e 2021-shit, këtë vit do të jepen më shumë pikë, sepse nuk do të përfitojnë vetëm 3 të parët, por edhe 5 të tjerë, me 8 pikë për fituesin dhe pastaj në zbritje deri te vendi i 8-të, që fiton 1 pikë. Këto pikë do të shtohen edhe në klasifikimin e skuderive. Kjo garë përcakton gjithashtu edhe rreshtimin për nisjen e Çmimit të Madh të së dielës.

Po ‘pole position’? Vitin e kaluar i jepej fituesit të garës të së shtunës. Këtë vit ndryshon, kualifikueset tradicionale të formatit Q1-Q2-Q3 zhvillohen të premten, ku piloti më i shpjet fiton ‘pole position’, që vlen edhe për statistika. Ndryshimi është se rezultati i kualifikueseve shërben edhe për rreshtimin e nisjes të F1 Sprint të së shtunës.

Kjo e fundit pastaj përcakton rreshtimin për Çmimin e Madh të së dielës. Pra, mund të ndodhë që piloti fitues i ‘pole position’ të së premtes të mos niset i pari në garën e së dielës. I pari niset ai që fiton minigarën e së shtunës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë