Rend dhe Ligj

Arrestimet në Morinë, Çuçi: Punonjësit e korruptuar nuk kanë vend në polici

Gazeta Si – Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka përgëzuar autoritetet policore shqiptare pas aksionit të përbashkët me Kosovën për arrestimin e 31 efektivëve kufitarë të akuzuar për korrupsion në Morinë.

Çuçi në reagimin e tij në rrjetet sociale, thekson se ishte një hetim model për ndëshkimin e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ministri thotë se në Policinë e Shtetin nuk ka vend për punonjës të korruptuar.

“Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (ish SHÇBA) për hetimin profesional që çoi në pranga dhjetra punonjës policie të Pikës Kufitare në Morinë. Ishte një hetim model për ndëshkimin e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, për të cilët s’ka vend në radhët e kësaj trupe”, ka thënë ai.

Ndërkohë në lidhje me këtë aksion ka reaguar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i cili është shprehur se është i vendosur për pastrimin e figurës së policisë.

Një total prej 34 masash të sigurimit personal u lëshuan nga gjykata me kërkesë të SPAK. Mes tyre, 32 janë punonjës të Policisë Kufitare Kukës, të akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre, kontrabandë e deri tek ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë