Politike

Këshillimi, shqiptarët ‘rrëzojnë’ certifikatat e vaksinimit, por ‘legalizojnë’ kanabisin

Sipas rezultateve të këshillimit kombëtar, shqiptarët i janë përgjigjur në shumicë pozitivisht 11 pyetjeve të adresuara nga Qeveria, përfshirë këtu edhe atë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ndërsa vetëm njërës prej tyre iu përgjigjën negativisht; pyetjes për vendosjen me detyrim të certifikatave të vaksinimit.

Ajo që lexoi përgjigjet e dhëna nga rreth 560 mijë qytetarët, ishte Drejtorja e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano.

Në lidhje me kultivimin e kanabisit, 61 për qind, ose rreth 308 mijë persona që kanë kthyer përgjigje janë shprehur pozitivisht kultivimit të tij për qëllime mjekësore, 29 për qind janë shprehur kundër dhe 10 për qind nuk kanë dhënë mendim.

Kryeministri Edi Rama tha se Qeveria do të jetësojë vullnetin e qytetarëve, përfshirë këtu edhe legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

“Do të legalizojmë kanabisin për qëllim mjekësor. Një front të ri për rritjen e punësimit dhe për rritje ekonomike”, tha Rama.

Pyetja që ka ndarë më shumë shqiptarët në këtë këshillim kombëtar është ajo që lidhet me certifikatën e vaksinimit. Këtu, 265 mijë, ose 53 për qind janë shprehur kundër, ndërsa 210 mijë të tjerë janë shprehur pro. Vetëm 6 për qind nuk kanë kthyer përgjigje.

Në këtë këshillim, sipas rezultateve të publikuara nga Rama, qytetarët kanë mbështetur edhe Ballkanin e Hapur, ku 303 mijë prej tyre, ose 59 për qind janë shprehur pro dhe 134 mijë kundër.

Pozitivisht shqiptarët i janë përgjigjur në masë dërrmuese edhe pyetjeve për mbështetje financiare e mbrojtje sociale për nënëat me 3 fëmijë të mitur, për ashpërsimin e dënimeve për përsëritësit e krimeve të rënda, për mbrojtjen e punonjësve që denoncojnë informalitetin, që pensionistët e punësuar të mos paguajnë kontribute shoqërore, që të amnistohen emigrantët që duan të depozitojnë në Shqipëri para, që të rriten gjobat dhe ndëshkimet për evazionin fiskal, për ashpërsimin e ndëshkimeve për krimet mjedisore, për pezullimin automatik të gjyqtarëve që shkelin ligjin dhe për shkëputjen nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë