Gazeta Si – Formula 1 anti-social, që u fshihej teknikave të reja për të komunikuar me fansat, është një kujtim i së kaluarës. Tani synohet të rritet së më shumë interesi i fansave të rinj pas këtij sporti, ndryshe nga sa ndodhte në epokën e Ekleston. Çdo javë organizatorët e Botërorit ndajnë video, intervista, foto, sondazhe dhe kuice te të gjitha platformat e rrjeteve sociale.
Një mënyrë perfekte për të pasur kontakt me fansat e rinj dhe që pas një sezoni emocionues si ai i kaluari, që u vendos në garën e fundit, mund të tërheqë më shumë fansa të pasionuar pas automobilizmit. Një strategji komunikimi e qartë për Stefano Domenikalin dhe drejtuesit e ‘Liberty Media’, që kanë në plan të shtojnë sasinë dhe cilësinë e materialeve që publikojnë në rrjetet sociale nëpërmjet një bashkëpunimi me Tuiterin.

Kjo platformë është një nga më të përdorurat nga Formula 1, veçanërisht për atë që ndodh në pistë gjatë sesioneve zyrtare dhe garave. Raporti mes Tuiterit dhe Botërorit të Formulës 1 ka evoluar gjatë kohës, duke bërë që të lindin ‘show’ të vërtetë televizivë pas garave.
Ky bashkëpunim ka sjellë publikimin e më shumë videove dhe përmbajtjeve interaktive për fansat. Dhe Formula 1 ka vendosur që të zgjerojë këtë bashkëpunim për të çuar në smartphone-t e fansave më shumë video në fundjavat e garave, me objektivin për të kapur shifrën e 20 filmimeve për çdo fundjavë gare, mes përmbledhjes së sesioneve dhe intervistave të protagonistëve.
Me 7.5 milionë ndjekës në Tuiter, Formula 1 ka gjeneruar sezonin e kaluar më shumë se 70 milionë cicërima, me një rritje prej 63% në krahasim me një sezon më parë. Numra që mund të rriten lehtësisht duke përfshirë edhe fansat. Një objektiv, që F.1 dëshiron ta arrijë duke postuar edhe materiale arkivi për më të vjetrit në moshë.
Rreth 65% e ndjekësve janë të moshës nën 35 vjeç, por ka edhe shumë të tjerë që janë të pasionuar pas historisë, kështu që do të ketë edhe sesione me pyetje-përgjigje mes pilotëve dhe tifozëve në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




