Gazeta Si - Është Championsi i Karim Benzema. Sulmuesi i Real Madridit po përjeton një moment magjik dhe po udhëheq ekipin jo vetëm në kampionat, por edhe në futbollin e madh europian. Një tjetër tripletë për të në mbrëmjen e sotme, pas asaj ndaj PSG-së pak javë më parë.
Francezi 34-vjeçar ka shënuar 3 gola edhe në “Stamfod Bridge”, në shtëpinë e kampionëve në fuqi të Çeslit, ku madrilenët fituan 1-3. Ai shënoi dy herë me kokë në pjesën e parë, ndërsa Kai Havertz shkurtoi shifrat dhe rihapi ndeshjen. Azpilikueta iu afrua shumë golit të dytë me një të djathtë të fuqishme, që u ndal nga Kurtua.
Sapo nisi pjesa e dytë, Benzema përfitoi nga një gafë e rëndë e portierit Mendi dhe e dërgoi topin në rrjetë për herë të tretë. Sulmuesi bëri presion, ashtu si në rastin ndaj Donarumës në ndeshjen me PSG-në, dhe shfrytëzoi gabimin e portierit dhe të mbrojtësit Rudiger. Më pas Reali e administropi mirë rezultatin.
Bajerni i Mynihut e pati shumë më të vështirë se sa mund të kishte menduar ndeshjen në Spanjë ndaj Vilarrealit, ku u mund 1-0. Danjuma i kaloi spanjollët në avantazh shumë shpejt dhe më pas Vilarreali shënoi edhe një gol të dytë me Kokelin, por që u anulua për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, megjithë ndërrimet e bëra nga trajneri Nagelsman, i cili aktivizoi Goretzkën dhe Sane, bavarezët nuk arritën të barazonin. Madje në dy raste ata rrezikuan sërish të pësonin gol. Moreno goditi nga mesi i fushës pas një gabimi fatal të Nojer, por topi shkoi jashtë. Bajerni pati fat edhe në një kundërsulm të shpejtë të vendësve dhe gjithçka u mbyll 1-0, me gjermanët që duhet të sforcohen jo pak në ndeshjen e kthimit, nëse duan të shkojnë në gjysmëfinale.
Liga e Kampionëve, çerekfinalet
Sot
Çelsi-Real Madrid 1-3
Vilarreal-Bajern Mynih 1-0
Të martën
Mançester Siti-Atletiko Madrid 1-0
Benfika-Liverpul 1-3
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.