Lajme

Rama inspekton Rrugën e Arbrit: Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë

Rruga e Arbrit që lidh Peshkopinë me Tiranën në më pak se një orë, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe të mallrave mes dy zonave, është në ndërtim në pothuajse çdo kilometër të saj. Kryeministri Rama ditën e sotme, i shoqëruar edhe nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ka inspektuar ecurinë e punimeve në pjesën e rrugës që bën lidhjen me Tiranën.

Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashme pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit. Afrim Qendro, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar sqaron se aktualisht po punohet në 29 nga 35 kilometrat e pjesës së parë të rrugës.

“Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14-kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”.

Ministri Gjiknuri nga ana e tij vlerësoi investimin në tërësi dhe nënvizoi ritmet e shpejta të realizimit.

“Meqë jemi dhe në kuadër të PPP-ve, kjo është prova e parë që po ecim me ritëm edhe më të shpejtë sesa projektet që paguhen me buxhetin e shtetit. Veprën mund ta fillosh ti, por vepra mund të shkojë dhe 10 vjet siç kanë vajtur. Me këtë ritëm që kanë këta, do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ndërsa, kryeministri Rama shprehet se kjo pjesë është Shqipëria e pazbuluar dhe do të jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve. 

“Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”, u shpreh Kryeministri Rama.​


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë