Komisariati i Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, të mbështetura nga FNSH, kanë bërë kontrolle të befasishme në lokale, akse rrugore dhe ambiente të ndryshme.
Gjatë kontrolleve u shoqëruan për verifikim 11 persona kryesisht me precedent penal të dyshuar për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Vjedhje”. Si rezultat i kontrolleve, në një lokal në Zhupan, u kap me armë zjarri 37-vjeçari Aleksandër Hoxhaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”.
Sapo ka parë policinë të hyjë në lokal, Hoxhaj ka hequr armën nga brezi dhe e ka hedhur nga dritarja e lokalit, por falë veprimeve të shpejta të policisë u konstatua veprimi i tij dhe u arrestua në flagrancë.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi ju gjetën:
•15 paketime me lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa me peshë 43.5 Kg
•3 dokumente të falsifikuara: pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti në gjuhën Greke me foto të këtij shtetasi.
•Sende të ndryshme të dyshuara që përdoren për kryerjen e vjedhjeve: 2 matrapikë, 2 leva metalike, 1 maskë me ngjyrë të zezë, 1 palë dorashka, 1 tub metalik që shërben për hapjen e dyerve, 1 pincë etj.
•Sende që dyshohen se i ka vjedhur: 3 kompjuterë lap-top dhe 1 kasafortë metalike.
•34 fishekë pistolete dhe automatiku.
Kontrollet do vijojnë në gjithë Qarkun e Fierit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Policia e Fierit falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit duke u garantuar ruajtjen e anonimatit si dhe një reagim në kohë të Policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




