Lojëra me Dore

Karlos Alkaraz triumfon në Majemi, hyn në historinë e tenisit me dy rekorde

Gazeta Si – Karlos Alkaraz ka fituar Masters 1000 të Majemit, duke u bërë kështu spanjolli i parë në histori dhe në moshën 18 vjeç e 11 muaj edhe tenisti më i ri që triumfon në këtë turne. Kampioni nga Murcia mundi në finale norvegjezin Kasper Rud pas dy setesh, me rezultatin 7-5 dhe 6-4. Finalja zgjati një orë e 52 minuta.

Karlos Alkaraz, 18 vjeç. Gazeta Si, 4 prill 2022

Pas këtij suksesi, i treti në turnetë ATP, Alkaraz ngjitet sot në vendin e 11-të të klasifikimit botëror. Spanjolli e nisi ndeshjen pak i kontraktuar, duke shkuar deri në 1-4, më pas ai reagoi fuqishëm dhe përmbysi gjithçka në 7-5, duke përfituar edhe nga gabimet e pafalshme në momentet delikate të kundërshtarit.

Rud reagoi vetëm në një moment, duke rikuperuar një nga dy ‘break’, por vetëm kaq. Të dy tenistët më pas mbajtën shërbimet e tyre me lehtësi deri në 6-4 final, që e bëri Alkarazin të futet në histori. Një arritje e madhe kjo, që nuk ka mundur ta bëjë as Rafael Nadal. Në qiellin e tenisit botëror sapo ka lindur një yll shumë i shndritshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë