Motosport

Formula 1 kthehet në Las Vegas nga 2023-shi, spektakël mes dritave dhe kazinove

Gazeta Si – Nga viti 2023, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillohen tri gara të Formulës 1, pasi do të shtohet edhe ajo e Las Vegasit. Tashmë ka ardhur edhe njoftimi zyrtar nga drejtuesit e FIA-s.

Çmimi i Madh i Las Vegasit do të futet në kalendarin e Botërorit të Formulës 1 nga viti i ardhshëm. Kjo garë do t’u shtohet atyre të Austin dhe Majemit në Amerikë. “Gara do të zhvillohet natën, një të shtunë nëntori, në të famshmen Strip të Las Vegasit, duke kaluar para hoteleve dhe kazinove më legjendare në botë”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të Formulës 1. Më parë Las Vegasi ka pritur dy gara në vitet 1981 dhe 1982.

Cirkuiti është i gjatë 6.12 kilometra dhe shpejtësia maksimale arrin në 342 km/h. Pista ka 14 kthesa dhe zhvillohen 50 xhiro. Administratori i F.1, Stefano Domenikali, pas njoftimit zyrtar, u shpreh: “Është një moment i rëndësishëm për Formulën 1, që tregon rritjen dhe tërheqjen e jashtëzakonshme në sportit tonë me një garë të tretë në Amerikë.

Las Vegasi është një destinacion i njohur në gjithë botën për mikpritjen dhe natyrisht, për të famshmen Strip. Nuk ka vend më të mirë për të garuar për Formulën 1 se në kryeqytetin botëror të argëtimit dhe mezi po presim që të jemi aty vitin e ardhshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë