Lajme

Video e Alizotit, Salianji thirret të premten në Prokurori

Një ditë pas publikimit të videos ku shfaqet Fredi Alizoti, personazhi për të cilin Prokuroria tha se ka imituar zërin e Agron Xhafaj në audio-përgjim, deputeti demokrat, Ervin Salianji, thirret për shpjegime.

Mësohet se ditën e premte Prokuroria ka thirrur për të marrë në pyetje deputetin Ervin Salianji në lidhje me videon e publikuar ditën e djeshme, por edhe videon e parë.

Salianji publikoi videon mbrëmjen e kaluar në emisionin “Opinion”, duke dhënë edhe sqarime. Ndaj prokuroria pret që deputeti i PD-së të japë shpjegime për këtë video, e cila më herët u sekuestrua nga Prokuroria në selinë e PD-së.

Në video, Fredi Alizoti deklaronte se ishte marrë me makinë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe ishte çuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranonte versionin që i shkon për shtat mazhorancës. Para organit të akuzës, sipas Alizotit ai ishte takuar dhe me deputetin socialist Taulant Balla dhe dy persona të tjerë. Po kështu, në video Alizoti thoshte se po i bëhej presion që të pranonte se ishte ai që kishte folur si Agron Xhafaj në bisedën me Babalen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë