Gazeta Si – Një fund dramatik, në linjë me personazhin. Mjaft trishtues përfundimi i hetimit në Britaninë e Madhe në lidhje me vdekjen e Maks Mosleit, presidentit të FIA-s në periudhën 1993-2009. Duke ditur që i kishte ditët të numëruara për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme, ai ka qëlluar veten në kokë me armë.
Moslei u gjet i pajetë më 24 maj të vitit të kaluar në shtëpinë e tij në Kensington në Londër, mbyllur në dhomën e gjumit. Te dera agjentët e policisë gjetën një copë letër, ku ishte shkruar: “Mos e hapni, lajmëroni policinë”. Kjo letër është edhe një konfirmim i hipotezës së vetëvrasjes.

Një gjest dëshpërimi, sipas interpretimit të mjekut ligjor Fiona Uillkoks, që shpjegohet me dëshpërimin që kishte pushtuar Moslein, pasi kuptoi se kishte një tumor. Një gjendje psiko-fizike e rënduar për shkak të dhimbjes kronike dhe për faktin e kohës së pakët të jetës që i kishte mbetur.
Mbi komodinën në krah të krevatit ku Moslei u gjet i mbuluar me gjak, agjentët gjetën një letër tjetër, ku shkruhej: “Nuk kisha zgjidhje tjetër”.
Gjatë presidencës së tij në Formula 1, Moslei i kushtoi shumë rëndësi sigurisë së pilotëve, pas incidentit që i mori jetën Airton Senës në vitin 1994. Pas skandalit seksual që u zbulua nga gazeta angleze “News of the World”, ai nuk rikandidoi më për presidencën e FIA-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




