Motosport

Sulmi me raketë pranë cirkuitit, Formula 1 nuk sheh asnjë rrezik për garën në Arabi

Gazeta Si – Gjatë ditës së parë të provave në cirkuitin e qytetit të Jedah në Arabinë Saudite, ka sjellë ankth një shpërthim me raketë në disa depozita nafte rreth 20 kilometra larg pistës. Atentati i rebelëve nga Jemeni u duk sikur vuri në dyshim të fortë zhvillimin e garës të dielën, por pas një mbledhjeje mes drejtuesve të F.1, pilotëve dhe skuderive, u vendos që gjithçka të vazhdojë normalisht.

Është gara e dytë sezonale e Botërorit të Formulës 1. Pas atij shpërthimi të së premtes nuk ka asnjë hap prapa, pasi organizatorët kanë dhënë garanci të plotë për mbarëvajtjen e garës.

Momenti i shperthimit prane Jedah. Gazeta Si, 26 mars 2022

Një nga drejtuesit kryesorë të Mercedesit, Toto Volf, për “Sky Sport” u shpreh: “Jemi në një zonë të sigurt, kemi folur edhe me ministrin e Sportit. Unë kam edhe familjen këtu dhe ndihem i sigurt. Çfarë mendojnë pilotët? Mund të marrin një vendim të kundërt, por shpresoj që ata të vazhdojnë”. Të gjitha skuderitë kanë dashur të vazhdojnë programin, ndërsa mes pilotëve ka pasur një lloj shqetësimi.

Mbrëmjen e së premtes është diskutuar nga drejtuesit e F.1 dhe organizatorët për situatën në Jedah. Në fund të gjithë janë shprehur të bindur se kanë sigurinë e nevojshme dhe se gara do të vazhdojë sipas programit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë