Njerez

Shuhet Madeleine Albright, gruaja e hekurt e pavarësisë së Kosovës

Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare, Madeleine Albright, gruaja e parë që u bë Sekretare e Shtetit në SHBA

“Shkaku ishte kanceri. Ajo ishte e rrethuar nga familja dhe miqtë. Kemi humbur një nënë, gjyshe, motër, teze dhe mike të dashur” shkruhej më tej në njoftimin në faqen e saj të Twitter.

Albright shërbeu si diplomate e lartë amerikane në administratën e Bill Clinton nga 1997 deri në 2001.

Për vdekjen e Abright ka reaguar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Twiter” ai ka shkruar se  Albright, ishte një grua e shquar me moral të pakompromis për Shtetet e Bashkuara.
“Një mike e Kosovës deri në fund dhe një partnere me të gjithë ata që ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë. Do të na mungosh, zonja sekretare”,shton më tej Kurti.

Krahas tij ka reaguar edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili ka shkruar në rrjetin social Twitter se Albright, ishte gruaja që mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovë.

“Lajm i trishtueshëm ndarja nga jeta e Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruaja që mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovës”, shkruan Rama.

Gjithashtu presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar se është e tronditur nga lajmi për vdekjen e Madeleine Albright dhe e cilëson si mike të madhe të Kosovës.

“Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviçit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, tha Osmani përmes një postimi në “Facebook”.

Pjesë e reagimeve për vdekjen e sekretares Albright është bërë edhe ish-kreu i PD, Lulzim Basha i cili ka shprehur ngushëllimet  e tij.

Me një mesazh në Twitter, Basha ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e saj të vendosur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë NATO.

“ Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë shtytjen e saj që aleanca të ndërmarrë veprime vendimtare për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë.”
Reagimet kanë vijuar më tej edhe me mesazhin e Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka e cila ka shkruar se Albright ishte një grua e mahnitshme dhe një frymëzim për miliona vajza dhe gra në mbarë botën.

“Përgjithmonë mirënjohëse për rolin e saj në përfundimin e Luftës së Kosovës dhe ndalimin e makinës së luftës kriminale të Millosheviç. U prehshi në paqe zonja Sekretare!”, shkruan Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë